Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një intervistë për Euronews, ka theksuar se ndonëse qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike, po rikthehet shpresa dhe optimizmi për të ardhmen.
“Qytetarët jetojnë vështirë, ashtu si gjithë rajoni, por ajo që bën ndryshimin nga një vit më parë është se më në fund po rikthehet shpresa se mund t’ia dalim”, deklaroi Mickoski.
Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut ka arritur rezultate konkrete dhe të matshme në vitin 2024, veçanërisht në sferën ekonomike.
“Parametrat janë shumë të qartë: në vitin 2024 kemi regjistruar 1.255 miliardë euro investime të huaja direkte. Maqedonia është vendi me më shumë investime të huaja për banor në Evropë. Inflacioni në mars ishte 2.7% në nivel vjetor dhe 1.3% në nivel mujor, që nënkupton deflacion. Madje edhe çmimet e shportës së konsumit, sipas përllogaritjeve të sindikatave, janë më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Në prill, inflacioni ishte 2.6% në nivel vjetor dhe vetëm 0.6% në nivel mujor. Edhe pagat janë rritur me 9 deri në 10%”, theksoi kreu i qeverisë.
Duke folur për rritjen ekonomike, Mickoski vuri në dukje se pritshmëritë janë tejkaluar ndjeshëm.
“Sa i përket ekonomisë dhe BPV-së, Banka Botërore na kishte parashikuar një rritje prej 1.8%, por ne për vitin 2024 kemi arritur 2.8%, falë një rritjeje të fuqishme mbi 3% në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit. Për tremujorin e parë të vitit 2025 presim një rritje deri në 4%, ndoshta edhe më shumë. Këto janë numra konkretë dhe unë si matematicient preferoj të flas për numra, sepse ato reflektohen në jetën reale”, përfundoi Mickoski.
Këto deklarata vijnë në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, ku qeveria synon të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të përforcojë stabilitetin ekonomik të vendit./Almakpress