Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka marrë pjesë sot në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet në Tiranë, por ajo që ka tërhequr vëmendjen është fakti se në njoftimin e tij zyrtar nuk përmendet as Shqipëria dhe as kryeqyteti shqiptar si vendi pritës i këtij takimi të nivelit të lartë.
Në një postim në Facebook, Mickoski e ka përshkruar pjesëmarrjen e tij si një konfirmim të angazhimit të qeverisë së tij për integrimin evropian dhe për ndërtimin e një fqinjësie të qëndrueshme.
“Sot mora pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, së bashku me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Samiti i kushtohet promovimit të bashkëpunimit rajonal, stabilitetit dhe afrimit me BE-në, duke theksuar rëndësinë e veprimit të përbashkët përballë sfidave me të cilat përballet kontinenti ynë”, ka shkruar Mickoski.
Ai shtoi gjithashtu: “Në diskutimin e hapur u shkëmbyen pikëpamje mbi temat kryesore për forcimin e lidhjes së rajonit me pjesën tjetër të Evropës. Prania dhe pjesëmarrja jonë në këtë Samit është një konfirmim i angazhimit tonë për pjesëmarrje aktive në proceset evropiane dhe ndërtimin e një fqinjësie të qëndrueshme dhe të begatë”.
Megjithatë, mungesa e përmendjes së vendit mikpritës në komunikimin e tij publik nuk ka kaluar pa u vërejtur. Në komentet e ndjekësve në rrjetet sociale, disa e kanë marrë me ironi këtë shmangie, duke i kujtuar se Samiti po zhvillohet në Tiranë.
“Ne e dimë se Samiti mbahet në Shqipëri, nuk është nevoja ta fshehësh”, ka shkruar një komentues në faqen e tij.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian ka mbledhur liderët e rajonit dhe përfaqësues të lartë evropianë për të diskutuar sfidat e përbashkëta dhe për të promovuar bashkëpunimin ndërkufitar në rrugën drejt integrimit në BE./Almakpress