Nga Vendi
17 May 2025
Taravari: VLEN nuk përfillet në Qeveri, ASH nuk është mësuar të jetë dekor

Kreu i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka shpjeguar arsyet e largimit të partisë së tij nga koalicioni qeveritar, duke e quajtur vendimin e nevojshëm për t’u rikthyer te qytetarët dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti. Në një intervistë për televizionin “MCN” në Shqipëri, Taravari theksoi se pas 11 muajsh pjesëmarrje në Qeveri, ASH nuk arriti të realizojë asnjë nga pikat kyçe të programit të saj zgjedhor.

“Ne si ASH nuk jemi mësuar të jemi në Qeveri dhe të jemi vetëm dekor aty,” tha Taravari, duke shpjeguar se përpjekjet për të realizuar agjendën e partisë ishin të dështuara për shkak të presioneve dhe diskoordinimit të brendshëm.

“Ne u larguam nga Qeveria sepse nuk ishim të përfillur. Pasi konstatova se asgjë nga programi ynë nuk u realizua, vendosëm që të dalim në opozitë dhe të kthehemi te qytetari. Kjo është e rëndësishme për t'u përgatitur për zgjedhjet lokale,” shtoi ai.

Taravari po ashtu përmendi se partia e tij ka pasur një rezultat të shkëlqyer në zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024, duke arritur 14 deputetë, por kjo fitore nuk u pasua me realizimin e angazhimeve të marra në koalicionin qeverisës.

“Për shembull, rruga evropiane ka mbetur e bllokuar dhe decentralizimi i pushtetit lokal është ende një problem, pasi bashkitë kanë shumë pak kompetenca në krahasim me shtetet e tjera të rajonit. Po ashtu, u shfuqizua mekanizmi i Balancuesit për përfaqësimin e të gjitha etnive, dhe deri tani nuk është sjellë një ligj për përfaqësim adekuat,” deklaroi Taravari.

Një tjetër shqetësim i theksuar nga Taravari ishte përpjekja e Qeverisë për të favorizuar punësimet e maqedonasve, duke anashkaluar shqiptarët. Ai theksoi se kjo ka krijuar një perceptim negativ te qytetarët, duke e përshkruar si një situatë ku VLEN – si pjesë e koalicionit – është përpjekur të realizojë angazhimet e saj, por ka hasur në pengesa të vazhdueshme.

“Ne bëmë një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet parlamentare, por në aspektin ideologjik, VLEN dhe ASH kanë qenë inkopaktibël. Kjo është arsyeja pse vendosëm të dalim me lista të veçanta për zgjedhjet lokale,” shpjegoi ai, duke shtuar se kjo nuk ishte pranuar nga partnerët e koalicionit qeveritar.

Në përfundim, Taravari i uroi suksese partive që vazhdojnë të mbeten në pushtet, por theksoi se për ASH, prioriteti është të angazhohen për zgjedhjet lokale dhe të kthehen te qytetarët për të realizuar premtimet e bëra./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Incident i armatosur tek “rruga e plastikave”, plagoset një person24 July 2020
Studimi që tregon se sa para duhet të fitosh në vit për të qenë i lumtur18 June 2021
Murseli: Tetova është e gatshme për ndryshime të mëdha 5 October 2021