Nga Vendi
19 May 2025
Dorëheqja e Sulejmanit trondit Aleancën për Shqiptarët – VLEN: Taravari po mbetet i vetmuar në prehrin e Ahmetit

Dorëheqja e deputetit Salim Sulejmani nga Aleanca për Shqiptarët ka shkaktuar reagime të forta politike dhe është cilësuar nga koalicioni opozitar VLEN si një akt i lartë moral dhe dëshmi se shqiptarët nuk shiten për poste politike.

Në një reagim për media, VLEN shpreh zhgënjimin e thellë për vendimin e Arben Taravarit që, sipas tyre, ka zgjedhur të bashkëpunojë me Ali Ahmetin për interesa personale, duke tradhtuar vullnetin e elektoratit shqiptar.

“Veprimi i Arben Taravarit nuk po gjykohet e dënohet vetëm nga subjekti VLEN, si ish-partner koalicioni me të, por edhe nga njerëzit e tij më të afërt. Çdo ditë e më shumë po shtohet numri i të dëshpëruarve për vendimin skandaloz të Taravarit që të shkojë në prehrin e Ahmetit,” thuhet në kumtesën e VLEN-it.

Sipas tyre, dorëheqja e Sulejmanit është vetëm fillimi i një vale më të gjerë dorëheqjesh brenda strukturave të ASH-së. VLEN pretendon se shumica dërrmuese e anëtarësisë dhe funksionarëve të kësaj partie nuk përkrahin afrimin me BDI-në.

“Ish partneri ynë i koalicionit e vulosi edhe njëherë se nuk e ka idenë e udhëheqjes ose menaxhimit të partisë. Ai për më pak se dy vite e dëmtoi aq shumë këtë subjekt, sa nuk ka dëmtuar asnjë parti oponente. Tani, kur dorëheqjet janë të njëpasnjëshme, duket qartë që Taravari do të përfundojë i vetëm në prehrin e Ali Ahmetit”, thekson më tej VLEN.

Duke përmendur integritetin e deputetit Sulejmani dhe të funksionarëve të tjerë që po largohen nga ASH, VLEN e sheh këtë zhvillim si një sinjal të qartë se qytetari shqiptar nuk është “mjet për pazare të ulëta politike”.

“Në ASH ka njerëz të ndershëm e me përgjegjësi morale para elektoratit dhe këto pohime tona i vulosi sot deputeti Sulejmani, si edhe një varg funksionarësh të tjerë, aktivistë e votues, të cilët assesi nuk rreshtohen me të keqen,” thuhet në deklaratë.

VLEN përfundon me paralajmërimin se vendimi i Taravarit do të ketë pasoja të mëdha në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut: “Tërmeti politik do të ndodhë, madje do të jetë aq i fortë, saqë do të dridhen edhe Ahmeti e Taravari.”/Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
OBRM-PDUKM: Në vend të masave kundër pandemisë, Zaev dhe Filipçe me fushatë të shtrenjtë para zgjedhjeve24 August 2021
Masat antiCovid për hyrje në Greqi vazhdohen edhe për një javë24 September 2021
Begaj uron Xhaferin: Shqiptarët, faktor i rëndësishëm për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut28 January 2024