Nga Vendi
19 May 2025
Taravari i përgjigjet Fetait: “Rruga e Arbën Xhaferit nuk kalon nga një Qeveri që ende na quan ‘20%’”

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ndaj deklaratës së zv/kryeministrit Arben Fetai, i cili një ditë më parë deklaroi se “rruga e ASH-së nuk kalon asnjëherë nga Ali Ahmeti”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Taravari ka kritikuar ashpër retorikën dhe veprimet e përfaqësuesve aktualë të pushtetit, duke theksuar se rruga e ndryshimit dhe e dinjitetit nuk kalon përmes kompromisave personale dhe kërcënimeve politike.

“Rruga e Ndryshimit nuk kalon përmes kërcënimeve me burgje ndaj shqiptarëve. Rruga e Ndryshimit nuk ndërtohet duke shitur mandatin e deputetit për poste diplomatike në Arabi. Rruga e Dinjitetit nuk kalon përmes braktisjes së partisë për një kolltuk ministror,” deklaroi Taravari.

Ai shtoi se Aleanca për Shqiptarët nuk është në politikë për interesa personale, por për të ndjekur vizionin e liderit historik, Arbën Xhaferi.

“Ne nuk jemi këtu për interesa personale. Ne jemi këtu për drejtësi, për dinjitet dhe për të vazhduar rrugën që na la Arbën Xhaferi – rrugën e barazisë dhe përfaqësimit të denjë,” theksoi Taravari, duke lënë të kuptohet se një rikthim në skenën politike do të ndodhë së shpejti: “Gjithsesi… shihemi në Tetor!”

Kjo përballje verbale vjen në një klimë të tensionuar politike mes figurave shqiptare në skenën maqedonase, ku debati për përfaqësimin dhe drejtësinë mbetet në qendër të diskursit publik./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Kolegët nga Spitali i Gostivarit, mbrëmë kanë ndihmuar kolegët e tyre të Tetovës 9 September 2021
Medalja e artë olimpike për Nora Gjakovën, Rama: Bravo yll26 July 2021
Identiteti kombëtar dhe fetar i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut18 September 2020