Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, njëherësh deputet i zonës, së bashku me nënkryetarin e partisë, Remzi Mehmedi, vizituan fshatin Nerovë të komunës së Krushevës, ku u takuan me banorët shqiptarë të kësaj zone që prej kohësh përballen me mungesën e kushteve elementare në objektin shkollor.
Gjatë vizitës, Sela vlerësoi përpjekjet e banorëve për të ndërtuar një objekt të ri shkollor me vetëiniciativë, pa asnjë ndihmë nga shteti, ndërsa denoncoi gjendjen e mjerueshme të shkollës së vjetër.
“Ne sot erdhëm të shohim shkollën këtu në Nerovë që është bërë objekt trajtimi i opinionit, të shohim punën e shkëlqyer që kanë bërë fshatarët me vetëiniciativë – një objekt i ri, fatkeqësisht pa asnjë kontribut nga shteti. Këtu është edhe shkolla e vjetër, e cila nuk plotëson as minimumin e kushteve. Të mos flasim për toaletet, të cilat edhe ujë nuk kanë. Një objekt shkollor pa ujë është vatër e infeksioneve, sidomos hepatitit dhe shumë sëmundjeve të tjera,” tha Sela.
Ai shtoi se do të ndërmarrë hapa konkretë për të zgjidhur këtë problem dhe për të siguruar kushte më të mira për nxënësit e Nerovës.
“Kështu që edhe si deputet i zonës, erdha për të parë nga afër problemet me të cilat përballen këta qytetarë. Duhet të gjejmë një zgjidhje. Besoj se do t’ia dalim që Nerova të ketë një objekt dinjitoz shkolle, ku fëmijët të mësojnë në kushte të mira dhe të rriten të shëndetshëm,” deklaroi Sela.
Ai u zotua se kjo çështje nuk do të mbetet vetëm në kuadër lokal, por do të ngrihet edhe në institucionet më të larta shtetërore dhe ndërkombëtare.
“Do ta trajtojmë këtë problematikë edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por edhe në takimet me faktorin ndërkombëtar. Është e domosdoshme që zëri i këtyre qytetarëve të dëgjohet edhe nga ata që kundërshtojnë shkollat dhe objektet arsimore, sepse janë pikërisht ata që vënë në pikëpyetje normalitetin dhe jetën,” theksoi Sela./Almakpress