Nga Vendi
22 May 2025
Mickoski akuzon Bujar Osmanin për bllokimin e rrugës evropiane: "Ka negociuar për identitetin maqedonas"

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke e fajësuar atë për situatën e bllokuar në procesin e integrimit evropian të vendit, për shkak të vetos bullgare. Duke folur për media në një konferencë për shtyp, Mickoski deklaroi se Osmani ka bërë një gabim historik, duke negociuar për çështje që prekin drejtpërdrejt identitetin maqedonas, gjë që sipas tij ka rezultuar me pasoja të rënda për vendin. “Për fat të keq, atë e ka bërë një ministër në të kaluarën. Ka negociuar për identitetin tim maqedonas dhe ka bërë gabim, dhe nëse mendon se atë do ta harrojmë, gënjehet,” deklaroi Mickoski. Kryeministri shtoi se dëmi që, sipas tij, Osmani i ka shkaktuar popullit maqedonas nuk do të harrohet lehtë. “Ajo do të mbetet në memorien kolektive se çfarë dëmi bëri ai njeri identitetit dhe popullit maqedonas me mosrespektim. Nëse ai nuk e respekton fqinjin e tij, atëherë ai nuk e respekton as familjen e tij, as popullin e tij,” u shpreh ai. Mickoski theksoi se pavarësisht pengesave aktuale, qeveria e tij do të punojë për të rindërtuar besimin dhe për të zgjidhur problemet që kanë bllokuar rrugën drejt Bashkimit Evropian. “Ne do të gjejmë mënyrë, do të ndërtojmë besim dhe do ta zgjidhim këtë. Nëse kjo gjeneratë ose ndonjë e ardhshme,” tha ai. Në fund, ai shprehu keqardhjen që Maqedonia e Veriut, dikur e vlerësuar si kampione e reformave në rajon, sot ende nuk ka arritur të hapë negociatat me BE-në. “Ai problem që ai e ka bërë, sot na ka sjellë në kësi situate që prej kampionë në rajon, do ta thotë dhe në Evropë, të mos mundemi të fillojmë ende bisedime me Bashkimin Evropian,” përfundoi Mickoski./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Gjendja e komunikacionit rrugor në Maqedoninë e Veriut 7 August 2020
Osmani: Nuk ka nevojë dhe nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme kuvendare20 October 2021
Estrada e vaksinuar, japin mesazhe e bëjnë thirrje që çdo qytetarë të vaksinohet18 August 2021