Nga Vendi
25 May 2025
Arben Fetai: Me valixhe erdha nga Belgjika, por nuk kam ndërmend të iki – Taravari po “artanizohet”

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe anëtari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë së tij, duke akuzuar kryetarin Arben Taravari për afrimin me BDI-në dhe përpjekjet për ndarjen e subjektit politik. Në një deklaratë për media, Fetai u shpreh i vendosur se nuk do të largohet nga skena politike dhe se legjitimiteti është në anën e atyre që qëndrojnë brenda koalicionit VLEN dhe Qeverisë.

“Unë valixhet i kam marrë për të ardhur nga Belgjika dhe nuk jam duke lëvizur nga këtu. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në VLEN, të qëndrojmë në Qeveri dhe t’u dalim zot shqiptarëve dhe zotimeve që i kemi dhënë,” u shpreh Fetai.

Ai kritikoi ashpër atë që e cilësoi si "pseudokuvend", duke theksuar se nuk janë respektuar procedurat statutare të partisë, përfshirë mungesën e nënshkrimeve të dy të tretave të kuvendarëve, siç kërkon statuti i ASH-së.

“Nuk ishte as kuvend, ishte një farsë politike, një cirk të cilin jemi mësuar ta shohim fatkeqësisht me kryetarin tonë për javë me radhë,” shtoi ai.

Fetai nuk kurseu kritika edhe për fjalorin e përdorur nga Taravari dhe deputeti Elmi Aziri, duke theksuar se ata po përdorin të njëjtin stil komunikimi si Artan Grubi.

“Na vjen keq për 'artanizimin' që ka ndodhur me ata shokët tanë që flasin për valixhe, duke dëshiruar largimin e shqiptarëve nga ky vend,” tha zëvendëskryeministri.

Në deklaratën e tij, ai akuzoi Taravarin për ndjekjen e një rruge që i shërben interesave të BDI-së dhe për pazare politike në kurriz të interesit të qytetarëve shqiptarë.

“Kur ti fal Ali Ahmetit gjashtë komuna, dihet se çmimi që do e paguash është shumëfish më i madh se ato gjashtë komuna. ASH-ja nuk është për pazare në kompensim të kolltukëve të komunave,” deklaroi Fetai.

Ai u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, koalicioni VLEN do të dalë fitues në çdo komunë me shumicë shqiptare.

Ndërkohë, edhe ish-shefi i kabinetit të Arben Taravarit, Sabri Aziri, reagoi pas shkarkimit të tij, duke e quajtur vendimin të padrejtë dhe të pabazë. Ai paralajmëroi se do të kundërshtojë çdo përpjekje për ndarjen dhe uzurpimin e Aleancës për Shqiptarët./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Mickoski drejtuar qytetarëve: Vota juaj i ndryshon punët12 July 2020
Austria fut Kosovën në listën e gjelbër të Covid-19 6 July 2021
Burri raporton në Polici: Më ka rrahur gruaja22 October 2021