Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka zgjeruar hetimet në lidhje me zjarrin tragjik që ndodhi në diskotekën “Puls”, duke përfshirë edhe një person të ri në listën e të dyshuarve. Bëhet fjalë për pronarin e pasurisë së paluajtshme ku funksiononte diskoteka, i cili e kishte dhënë objektin me qira njërit prej të dyshuarve të mëparshëm.
Sipas Prokurorisë, personi në fjalë dyshohet si bashkëveprues për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, pasi ka lejuar transformimin e paligjshëm të objektit dhe përdorimin e tij për veprimtari të kundërligjshme.
“I dyshuari, si pronar i objektit, ka bërë ndryshim të ridestinimit të tij pa paraqitur kërkesë dhe pa marrë leje për ridestinimin nga organet kompetente,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më tej, organi i akuzës sqaron se, në bashkëpunim me një tjetër të dyshuar – pronar joformal i subjektit juridik që operonte diskotekën – janë ndërmarrë aktivitete të paligjshme ndërtimore në periudhën 2012 deri në vitin 2025. Gjatë kësaj kohe, objekti është transformuar nga funksione të infrastrukturës së transportit në njësi gastronomike, duke shndërruar ilegalisht hapësirën në diskotekë/kabare.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e masave të kujdesit për të dyshuarin e ri, me qëllim sigurimin e prezencës së tij gjatë procedurës penale.
Ngjarja në diskotekën “Puls” ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë konkrete të secilit të përfshirë./Almakpress