Komuna e Çairit, një nga zonat më të dendura urbane në Europë, është shndërruar në një simbol të krimit urban dhe keqmenaxhimit institucional, akuzojnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Sipas një deklarate të publikuar sot nga kjo parti, në këtë komunë që shtrihet vetëm në një sipërfaqe prej tre kilometrash katrorë, por që është shtëpi për mbi 60.000 banorë, është dëmtuar rëndë cilësia e jetës për shkak të ndërtimeve të paligjshme dhe mungesës së kontrollit institucional.
“Për vite me radhë, mijëra metra katrorë gjelbërim janë zhdukur për t’i hapur rrugë ndërtimeve të paligjshme dhe korruptive,” theksohet në deklaratën e BDI-së.
Sipas të njëjtës deklaratë, Çairi po përballet me një krizë të thellë mjedisore dhe sociale. Ndotja alarmante dhe mungesa e hapësirave të gjelbra kanë bërë që kjo komunë të jetë "ndër më të ndoturat dhe më të pabanueshmet në vend", siç potencojnë nga BDI.
Zbulimet e fundit, që përfshijnë ndërtime të shumta të ngritura mbi dokumente të falsifikuara, për BDI-në janë dëshmi e qartë e thellësisë së skandalit dhe e rrezikut që iu kanoset jetës së qytetarëve.
“Kjo është përmbyllja e turpshme e një mandati të karakterizuar nga korrupsioni, ndotja, ndërtimet e paligjshme dhe rrëmbimi i së ardhmes së fëmijëve tanë,” thuhet më tej në reagimin e BDI-së.
Partia gjithashtu paralajmëroi se shumë shpejt, në Çair pritet të nisë një kapitull i ri, duke lënë të kuptohet për ndryshime të mëdha politike dhe institucionale në horizont./Almakpress