Nga Vendi
31 May 2025
VMRO-DPMNE akuzon ish-ministrin Venko Filipçe për ndërtimin e spitaleve modulare KOVID pa standarde

VMRO-DPMNE ka ngritur akuza të rënda ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke pretenduar se gjatë mandatit të tij janë ndërtuar 16 spitale modulare KOVID në mënyrë të paligjshme dhe pa përmbushur standardet minimale të nevojshme për funksionim.

Sipas deklaratës së përfaqësuesit të VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, këto objekte nuk përputhen me asnjë standard në fushën e shëndetësisë dhe janë shkelur një sërë ligjesh për ndërtim dhe veprimtari shëndetësore.

“Është kontestues specifikimi teknik i bërë nga personi përgjegjës i emëruar nga Venko Filipçe, ku më vonë konstatohet se nuk përputhet me asnjë standard në fushën e shëndetësisë. Nuk është respektuar Ligji për ndërtim dhe Ligji për veprimtarinë shëndetësore dhe nuk janë respektuar standardet minimale teknike për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet,” – deklaroi Manasievski.

Për më tepër, VMRO-DPMNE akuzon se përmes një procedure të përshpejtuar ligjore, është bërë ridedikimi i këtyre ndërtesave si pajisje urbane, duke iu shmangur procedurave të rregullta ligjore dhe pa miratime të nevojshme nga autoritetet përkatëse.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, me propozim të Qeverisë, ndryshoi ligjin për ndërtimin me procedurë emergjente, me qëllim që ky lloj ndërtesash të kalojë në pajisje urbane, miratimi i të cilave do të lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë ose ministri i atëhershëm, Venko Filipçe,” – shtoi Manasievski.

Një nga pikat më kritike që nënvizon VMRO-DPMNE është se këto spitale nuk janë të regjistruara në kadastër, nuk kanë vendim për përdorim të përhershëm dhe nuk kanë miratim për funksionim sipas kritereve të hapësirës, pajisjeve dhe stafit.

Ky skandal ka marrë përmasa edhe më serioze pas tragjedisë në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 qytetarë si pasojë e një zjarri. Sipas opozitës, ky incident është pasojë direkte e mungesës së standardeve dhe përgjegjësisë institucionale.

VMRO-DPMNE paralajmëron se në ditët në vijim do të publikojë detaje të reja në kuadër të asaj që e quan “afera e provizioneve që kushtojnë jetë”, duke pretenduar se ndërtimi i spitaleve modulare ka qenë i motivuar nga përfitime financiare personale të funksionarëve të lartë, përfshirë liderin aktual të opozitës.

Ngjarja vazhdon të ngjallë reagime të ashpra në opinion dhe pritet të pasohet me hetime të reja dhe zhvillime politike./Almakpress

 

 



Të ndryshme
Më shumë
60% e njerëzve presin që inteligjenca artificiale të ndikojë pozitivisht në punësimin e tyre 7 May 2025
LSM-ja kërkon masa për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve në Maqedoni për shkak të valës së nxehtë23 June 2021
Burimit nga Zvicra ia shesin veturën e shtrenjtë 50 mijë euro, pa dijeninë e tij17 August 2021