Nga Vendi
31 May 2025
Mbi 15 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të parë shtetëror në gjuhën amtare

Mbi 15 mijë nxënës në të gjithë vendin sot iu nënshtruan provimit të parë ekstern të maturës shtetërore, i cili u zhvillua në gjuhën amtare. Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” në Shkup, mbi 250 maturantë, të rregullt dhe të çrregullt, morën pjesë në këtë provim. Sipas Sekretarit të shkollës, Vullnet Rexhepi, provimi është realizuar sipas rregullave dhe ka filluar në kohë, në orën 10:00.

“Gjithçka ka shkuar sipas planit. Nxënësit kanë qenë të përgatitur me materiale dhe pyetje që përputhen me programin arsimor të shkollës së mesme,” deklaroi Rexhepi.

Nxënësit e intervistuar pas përfundimit të provimit thanë se, ndonëse kishin përballuar stres dhe vështirësi, ishin të përgatitur falë orëve plotësuese të mbajtura nga profesorët.

“Vështirësi kishte, por ishim të përgatitur nga shkolla. Tani po përgatitemi edhe për provimin e dytë më 11 qershor në gjuhën angleze,” tha njëra nga nxënëset.

“Materiali ishte i njohur për ne. Kishim pak stres, por e kaluam me sukses,” shtoi një tjetër nxënëse.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se sivjet janë ndërmarrë masa më të rrepta për të parandaluar kopjimin dhe manipulimet gjatë provimeve, duke shpresuar për rezultate më të mira dhe një proces më të ndershëm.

“Këtë vit pres që gjithçka të kalojë mirë dhe me shumë pak raste të parregullsive si ato të viteve të kaluara. Maturantët duhet të bazohen vetëm në njohuritë e tyre dhe të mos përdorin mjete të palejuara, pasi rrezikojnë ta humbasin vitin,” tha Janevska.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, për testin e parë janë paraqitur gjithsej 9969 nxënës për gjuhën maqedonase, 4339 për gjuhën shqipe, 292 për gjuhën turke dhe 10 nxënës për gjuhën serbe. Prej tyre, mbi 8 mijë janë nga shkollat profesionale, rreth 6 mijë nga gjimnazet dhe mbi 200 nga shkollat artistike.

Provimi i dytë ekstern, i cili është me zgjedhje, do të mbahet më 11 qershor. Në të gjithë procesin janë angazhuar rreth 2.000 testues dhe vëzhgues nga Qendra Shtetërore e Provimeve për të garantuar mbarëvajtjen e testimit./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Mësimi në shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar do të vazhdojë online deri më 20 shtator15 September 2021
Hungarezi ndalohet në pikën kufitare Tabanoc, iu gjet drogë në automjet21 May 2025
Skandal në Tetovë – Kryetari Kasami shpërndan libra të piratuar të Kadaresë, Onufri paralajmëron padi26 May 2025