Nga Vendi
31 May 2025
LSDM akuzon Prokurorinë për mbylljen e hetimeve të tragjedisë në Koçan pa asnjë përgjegjësi politike

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Prokurorisë për mbylljen e hetimeve lidhur me tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, pa asnjë funksionar të dyshuar nga partia në pushtet OBRM-PDUKM.

Në një deklaratë publike, nënkryetarja e LSDM-së, Kaja Shukova, e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që prokurori Lubomir Joveski, i cili sipas saj ishte nën kërcënim për shkarkim nga pushteti aktual, ka vendosur të mbyllë hetimin pa ngritur asnjë akuzë ndaj zyrtarëve që mund të kenë pasur përgjegjësi.

“Personi i parë i mbrojtur i OBRM-PDUKM-së për tragjedinë në Koçan është Dejan Salltirovski, shefi i policisë në SPB Shtip. Pavarësisht përgjegjësisë së mundshme, ai nuk është përfshirë në hetim”, u shpreh Shukova.

Sipas saj, Salltirovski ka qenë i informuar ose është dashur të jetë në dijeni për detajet e aksionit të kontrollit atë natë, ku sipas procedurave standarde, duhej të ishte e papranueshme që dyert e diskotekës të qëndronin të mbyllura.

LSDM kërkon përgjigje nga Prokuroria dhe Qeveria përse nuk ka asnjë akuzë ndaj Salltirovskit dhe pse nuk është publikuar videoja ku, sipas Shukovës, ai shihet jashtë diskotekës gjatë orës 00:30 deri në 01:20.

Po ashtu, partia opozitare ngre dyshime se Salltirovski mund të ketë falsifikuar dokumente për të provuar se nuk ka qenë në detyrë natën e ngjarjes.

Në deklaratën e saj, LSDM sugjeron se mosndjekja penale e Salltirovskit lidhet me lidhjet e tij familjare me biznesmenin Orce Todorovski, të afërt me kreun e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, si dhe me lidhjen e tij profesionale të mëparshme me ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, për të cilin thuhet se Salltirovski ka shërbyer si avokat.

LSDM ka bërë të ditur se do të vazhdojë me konferenca shtypi, ku do të publikojë më tej informacione që, sipas tyre, hedhin dritë mbi përgjegjësitë në këtë tragjedi që tronditi opinionin publik./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Sot bëhen 14 vjet nga vdekja e Faruk Begollit23 August 2021
Mijallkovi ka ikur përmes zonë kufitare në Kumanovë?23 February 2021
Pse duhet ta përdorni ajrin e kondicionuar në veturë edhe gjatë dimrit?15 October 2021