Protesta e infermierëve në Spitalin Klinik të Tetovës ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa kërkesat e tyre për paga të vonuara dhe zgjidhjen e statusit të punës mbeten ende pa përgjigje. Me moton “Le të na mbajnë që të mos na qajnë”, infermierët kërkojnë reagim urgjent nga autoritetet, ndërsa thonë se nuk do të ndalen deri në arritjen e një zgjidhjeje konkrete.
Sot, numri i protestuesve ishte më i ulët se ditët e kaluara. Sipas vetë infermiereve, disa prej kolegëve të tyre kanë marrë kërcënime që të mos marrin pjesë në protestë.
“Vendin e punës nuk e lëmë, por protestat nuk i ndalim. Do të vazhdojmë derisa të kemi një përgjigje. Mendojmë të bojkotojmë punën dhe të shkojmë deri në Ministrinë e Shëndetësisë nëse nuk ka zgjidhje”, tha një nga infermieret pjesëmarrëse.
Drejtori i spitalit të Tetovës nuk është paraqitur ende publikisht për të dhënë një qëndrim lidhur me situatën, ndërsa kryeinfermierja Dita Zaimi deklaroi se mungesa e konkurseve për punësim është pasojë e pengesave nga instanca të larta shtetërore.
“Jeni të informuar se pengesat kanë ardhur nga më lart. Kemi qenë në pritje të shpalljes së konkurseve për punësim, por kjo nuk është realizuar. Tani shpresojmë që me emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë të ketë më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim për hallet tona”, tha Zaimi.
Aktualisht, rreth 140 infermierë në këtë institucion shëndetësor ndodhen në një status të pazgjidhur pune – shumë prej tyre me vite përvojë në profesion por pa kontratë të rregullt.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, pak ditë më parë akuzoi koalicionin VLEN për bllokimin e vendimeve të punësimit, duke pohuar se në ditën e parë të punës së tij kishte urdhëruar ndërprerjen e procedurave të punësimeve në të gjitha spitalet publike, përfshirë edhe atë të Tetovës.
Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në pritje të një reagimi zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucione të tjera relevante./Almakpress