Nga Vendi
5 June 2025
Qeveria: Maqedonia e Veriut mes pesë vendeve me rritje më të shpejtë ekonomike në Evropë

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka shënuar një rritje prej 3.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të këtij viti, duke e renditur vendin në mesin e pesë ekonomive me rritjen më të shpejtë në Evropë. Kështu njofton Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një komunikatë për media, duke u bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistikë.

“Në krahasim, kjo do të thotë se rritja është trefish më e madhe se ajo e vitit të kaluar. Kjo është falë politikave të suksesshme ekonomike të Qeverisë. Me këtë, Maqedonia është mes pesë vendeve me rritje më të shpejtë ekonomike në Evropë, para nesh janë Irlanda, Danimarka dhe Polonia,” thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas të njëjtit burim, sektorët me rritjen më të lartë ekonomike përfshijnë ndërtimtarinë dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, përfshirë edhe shërbimet ndihmëse, me një rritje prej 7.1%, si dhe sektorin e informacionit dhe komunikimeve me 4.8%.

Gjithashtu, konsumi përfundimtar i amvisërive, përfshirë institucionet jofitimprurëse që u shërbejnë atyre, ka shënuar rritje prej 7.1% në terma nominalë, ndërsa pjesëmarrja e tij në strukturën e PBB-së arrin në 69.0%.

“Ndryshe nga vitet e kaluara kur ekonomia ishte në pikën e saj më të ulët dhe plotësisht e zhvlerësuar, tani kemi një lëvizje të plotë përpara,” thekson më tej Qeveria, duke shtuar se angazhimi për politika që stimulojnë zhvillimin ekonomik do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kjo performancë pozitive vjen në një kohë kur shumica e vendeve evropiane po përballen me sfida ekonomike dhe stagnim të rritjes, duke e theksuar kështu progresin relativ të Maqedonisë së Veriut në rajon dhe më gjerë.



Të ndryshme
Më shumë
Bërnabiq i uron fat Vuçiqit para takimit me Albin Kurtin: Kurrë nuk kam qenë më e shqetësuar15 June 2021
Konjufca: Kandidati nga familja Jashari do të kishte konsensus automatik për president në Kosovë25 February 2026
Tetovë-Gostivar, shkelen vendimet për izolim për shkak të koronavirusit17 August 2021