Nga Rajoni
30 June 2025
Ngërçi për konstituimin e Kuvendit, Osmani do të ftojë në takim krerët e partive politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në takime në ditët në vijim, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.

Kushtetuesja, në aktgjykimin e publikuar më 26 qershor, obligoi deputetët e dalë nga zgjedhjet e shkurtit, që brenda 30 ditësh të konstituojnë organin ligjvënës. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi lejon votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë argumentuar të kundërtën.

“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina. Presidentja Osmani ishte shprehur e gatshme t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese edhe pas një takimi konsultativ që kishte pasur me krerët politikë më 15 maj.

Për të 39-tën herë me radhë, të shtunën, deputetët nuk arritën ta konstituonin Kuvendin. Që nga 1 maji – kur kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV propozoi që për kryetarin e Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë – PDK-ja, LDK-ja, AAK-Nisma dhe Lista Serbe nuk propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë. Këto parti kanë argumentuar se ndryshimi i mënyrës së votimit është jokushtetues, dhe ishte AAK-ja, me mbështetjen e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së që e dërgoi çështjen e votimit të fshehtë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 28 qershor, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi udhëheqësit e partive politike për konsultime, por edhe pas dy orësh takim, palët nuk arritën asnjë marrëveshje për të dalë nga ngërçi politik. Pas takimit, Kurti ka fajësuar partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë se po e keqinterpretojnë aktgjykimin, duke thënë se në takim ka ofruar edhe kompromise.

Por, nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se kanë kërkuar që të mos vazhdohen seancat me skenarin e njëjtë, pra me votimin e fshehtë. Kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, pas vendimit të Kushtetueses ka deklaruar se do të tërhiqet nga kandidimi nëse në votimin e fshehtë nuk i siguron 61 votat e nevojshme.

Që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar, duhet që deputetët të votojnë për kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota. Vetëm pasi të përmbyllet ky proces, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve mund të provojë të formojë Qeverinë e re të Kosovës./REL



Të ndryshme
Më shumë
Kosova në mesin e katër “vendeve të prejardhjes” së virusit në Zvicër10 August 2021
Për herë të parë pas dy muajve dje nuk është regjistruar asnjë vd ekje nga COVID në Maqedoni22 July 2020
KSHZ: Deri në ora 09:00 jehona e votuesve është 5.19 për qind15 July 2020