Nga Vendi
4 July 2025
Ali Ahmeti: Ambasadorët shqiptarë kanë detyrim kushtetues për të mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ku thekson rëndësinë e rolit të ambasadorëve shqiptarë dhe detyrimin e tyre kushtetues për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shqiptarëve, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe në rajon dhe diasporë.

Sipas Ahmetit, ky rol nuk është vetëm diplomatik apo formal, por përfaqëson një mision historik dhe kombëtar të shtetit shqiptar.

“Ambasadori i Shqipërisë nuk ka vetëm një rol diplomatik formal, por një detyrim kushtetues dhe kombëtar për të mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, përfshirë edhe jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë,” – shkruan Ahmeti në reagimin e tij.

Ai thekson se kjo nuk është çështje dëshire apo vullneti personal, por një obligim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Në deklaratën e tij, Ahmeti kritikon çdo përpjekje për të interpretuar këtë angazhim si ndërhyrje, duke e cilësuar një veprim të tillë si një shërbim ndaj kauzave antikombëtare.

“Çdo përpjekje për ta sulmuar këtë angazhim, apo për ta interpretuar si ndërhyrje, është jo vetëm keqkuptim i qëllimshëm, por edhe një shërbim i drejtpërdrejtë ndaj kauzave antikombëtare,” – vijon ai.

Ahmeti përmbyll mesazhin e tij duke theksuar se shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë nuk janë të huaj për shtetin shqiptar, por një pjesë e pandashme e kombit, që meriton kujdesin dhe përkrahjen e plotë institucionale.

Ky reagim vjen në një kohë kur çështja e rolit të përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë jashtë vendit ka nxitur debat publik dhe politik, veçanërisht në lidhje me përfshirjen e tyre në mbështetjen e komuniteteve shqiptare në rajon dhe më gjerë./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Ditët e fundit të fushatës, Arifi e Kasami vazhdojnë përpjekjet për të fituar besimin e qytetarëve28 October 2021
Ende pa vendim për pasuesin e Arben Taravarit në Ministrinë e Shëndetësisë13 May 2025
A e dinit që moderatorja e njohur ka marrë pjesë në një program dashurie?14 March 2022