BDI u kërkon partive politike në vend të mbështesin, siç thonë ata, idenë e tyre për veting ndaj të gjithë funksionarëve të nivelit qendror dhe lokal, të cilin nuk e realizuan asnjëherë sa ishin në pushte. Nënkryetari Arbër Ademi theksoi se thirrja e sotme drejtuar partive të tjera bëhet me qëllim të rikthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi dhe institucione, për gjendjen e të cilave BDI-ja ishte kontribuuesja më e madhe me 22 vite radhazi në pushtet.
“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike parlamentare që të mbështesin propozim-ligjin e Bashkimit Demokratik për Integrim për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare. Një proces gjithëpërfshirës dhe i pakompromis që do të rikthejë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe institucione. Ritheksojmë poashtu vendimin tonë të kahershëm për hetim ndaj të gjitha partive politike, pa përjashtim për periudhën e 33 viteve të fundit. Kërkojmë poashtu verifikimin dhe kontrollin e prejardhjes së pasurisë për të gjithë bartësit e funksioneve publike”, tha Arbër Ademi, BDI.
Ndaj kërkesës së tillë u përgjigj njëri prej liderëve të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti duke theksuar se BDI-ja nuk ka të drejtë morale të kërkojë veting, derisa gjysmën e kryesisë e ka në lista të zeza, ndërsa gjysmën tjetër në hetime për vepra penale.
“E para një parti që gjysmën e kryesisë e ka në lista të zeza dhe gjysmën tjetër e ka në procedura penale me etiketa si “Pacienti” e etiketa tjera mendoj se nuk kanë të drejtë morale të flasin për veting. Vetingu më i mirë i tyre do të jetë që qytetarët t’ua bëjnë vetingun e fundit edhe t’i përcjellin në histori”, tha Izet Mexhiti, VLEN.
Çështja e vetingut ishte një ndër top 5 prioritetet e BDI-së në qeverisjen 2020-2024, por që dështoi ta realizojë. Ligjin që sot e përmend BDI, zyrtarisht nuk është dorëzuar në kuvend, por në mënyrë joformale u është shpërndarë deputetëve, ndërsa opinioni asnjëherë nuk e pa përmbajtjen e tij. Para se ta vendoste në program zgjedhor të vitit 2020, Bashkimi Evropian vetëm se ishte deklaruar kundër një procesi të tillë duke u bazuar në komplikimet që kishin ndodhur me vetingun në Shqipëri.
Megjithatë BDI vazhdonte të propagandonte me temën se partia po bën veting të brendshëm brendapartiak. ALSAT ka pyetur disa herë në BDI, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje të detajuara, as për korrektësinë e informimit. Opinioni nuk e di se kush janë anëtarët dhe kryetari i komisionit për veting?
A ka anëtarë të jashtëm në komision e vetingut? Çfarë metodologjie ndjek komisioni në fjalë? Sipas cilit model po bëhet vetingu? Çfarë dokumentacioni dorëzojnë funksionarët që duhet t’i nënshtrohen vetingut? A duhet zyrtari vetë të dorëzojë kërkesë për veting apo vetë organi kryen veting? A ka afate konkrete për procedurën e veting-ut? A përfshihet edhe lideri në veting? Sa funksionarë deri më tani kanë kaluar procesin e vetingut? A ka ndonjë që nuk e ka kaluar? A ka ndonjë funksionar qe nuk e ka zbatuar vetingun? Mbi të gjitha, a do t’u bëhet veting edhe partnerëve të Frontit, Taravarit e të tjerëve?/ Alsat.mk