Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit mbrëmë shpalli zyrtarisht emrat e katër kandidatëve për zgjedhjet lokale të tetorit. Pavarësisht pritjeve, Taravari nuk do të garojë për Gostivarin, por në vend të tij Valbon Limani. Blerant Ramadani do të synojë pozitën e kryetarit për Sarajin, ku do të mbështetet nga BDI-ja që këtë komunë ndër vite e llogarit si bastion të saj. Isen Shabani do të kandidojë për mandat të tretë për kryetar të Vrapçishtit, i cili prej vitit 2017-të ndodhet në këtë pozitë nën logon e ASH-së para se të përçahet Sela-Taravari. Ndonëse deri në mars Shabani mbante anën e Selës dhe paralajmëronte se do të garojë si i pavarur në Vrapçisht, befas arriti marrëveshje dhe kaloi në krahun e Taravarit. Nga ana tjetër, për Tearcën Taravari ia ka besuar garën nënkryetarit të tij Nazim Taipi i cili derisa ASH ishte në Qeveri, mbante postin e zëvendësdrejtorit të Ndërmarrjeve Publike për Rrugët Shtetërore.
Taravari, mbrëmë edhe zyrtarisht shpalosi koalicionin me Ali Ahmetin nën ombrellën e Frontit Evropian, që BDI e ribrendoi në Fronti Kombëtar, ndërsa Taravari e quajti me emër krejt të ri – Aleanca Kombëtare për Integrim.
“Tashmë e keni parasysh se koalicioni i ardhshëm do të quhet Aleanca Kombëtare për Integrim”, deklaroi Arben Taravari, ASH.
Krahas mbështetjes së ndërsjellë të kandidatëve, me BDI-në sipas të gjitha gjasave do të kenë edhe lista të përbashkëta për këshilltarët.
“Kështu që besoj që listat edhe mund të jenë të përbashkëta të Aleancës Kombëtare për Integrim”, tha Arben Taravari, ASH.
Por a bie ndesh kjo me qëndrimin e Taravarit, i cili u përplas me koalicionin VLEN pikërisht pse nuk u pajtua të shkonte në zgjedhje lokale me lista të përbashkëta në kuadër të koalicionit?
“Kemi dy opsione, një opsion është që së bashku me VLEN-in të dalim në zgjedhje lokale, ose opsioni i dytë, është që ASH-ja të dalë e vetme në zgjedhje. Mendojmë se edhe vetë të dalim, në disa komuna, me ndihmën e disa partive, të partnerëve të koalicionit, mund të bëjmë një rezultat të mirë”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Kriza Taravari – VLEN u thellua pikërisht për shkak të informacioneve që kishin shpalosur liderët e VLEN se ndërkohë ai po bënte pazare me BDI-në për zgjedhjet lokale, ndërsa çështja e mënyrës së garimit me lista të përbashkëta apo të ndara është vetëm një alibi.
Daljen nga Qeveria, Taravari e arsyetoi dhe mbështeti në çështjet etnike duke përmendur Balancerin, por edhe Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe punësimet etnike nëpër institucione. Në fakt, të gjitha këto çështje derisa kishte qenë në pushtet, Taravari i kishte mbrojtur dhe arsyetuar si politika të drejta të Qeverisë, duke e i thurrur lavde Mickoskit si një nga kryeministrat më të mirë për shqiptarët. /Alsat.mk