Nga Vendi
5 September 2025
ODIHR fillon me vëzhgimin e zgjedhjeve lokale

Në prag të zgjedhjeve lokale 2025, sot zyrtarisht do të fillojë vëzhgimi nga ana e misionit të OSBE/ODIHR-së, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) dje njëzëri i miratoi kërkesat për akreditimin e 14-të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, në seancën e djeshme informoi se sot do të mbahet takim i parë zyrtar me përfaqësuesit e Komisionit vëzhgues, me çka edhe formalisht do të fillojë puna e tyre.

“Njoftoj opinionin se prej nesër zyrtarisht do të kemi takim me përfaqësuesit e misionit vëzhgues të ODIHR-së dhe prej sot fillon puna e tyre dhe vëzhgimi zyrtar i zgjedhjeve. Ata do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me KSHZ-në dhe do të marrin pjesë në të gjitha seancat e tona të hapura publike”, deklaroi Kondaro në seancën e djeshme.

KSHZ-ja dje miratoi edhe dy kërkesat e para për akreditim: njëra për gjashtë vëzhgues, tjetra për tetë vëzhgues.

Në mënyrë shtesë, anëtarët e Komisionit miratuan ndryshimet dhe plotësimet e vendimit për regjistrin e radiodifuzerëve, mediave të shkruara dhe elektronike, si dhe internet portalet, të cilat do t’i mbulojnë zgjedhjet.

Në seancën u shqyrtuan edhe 34 kërkesa për përjashtimin e kryetarëve, zëvendësve dhe anëtarëve të Komisionit të zgjedhjeve komunale, ndërsa në vend të atyre u emëruan persona të rinj.

Rrethi i parë për zgjedhje të kryetarëve të komunave dhe anëtarëve të këshillit të 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë duhet të mbahet me 2 nëntor në njësitë e vetëqeverisjes lokale, në të cilat zgjedhjet nuk do të përfundojnë në rrethin e parë.



Të ndryshme
Më shumë
Shpërthyen “Bomba” Të Reja, Përmenden Donçev, Zaev Dhe Ruskoska22 June 2020
Mexhiti: BDI po rikthehet me skenarë kaosi dhe urrejtjeje ndëretnike30 June 2025
Soros: “Ballkani i Hapur” do të krijojë mundësi edhe për romët30 July 2021