Nga Vendi
24 September 2025
BDI: Qeveria me uniforma vetëm në gjuhën maqedonase konfirmon qasjen diskriminuese ndaj shqiptarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se Qeveria e udhëhequr nga OBRM-PDUKM e konfirmoi edhe një herë qasjen e saj diskriminuese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, duke iu referuar vendimit për uniformat e policisë.

Nga BDI thonë se "ky nuk është thjesht një vendim politik i bazuar në diskriminim, por mbi të gjitha një shkelje flagrante e Kushtetutës, e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe e Marrëveshjes së Ohrit".

"VLEN po mashtron qytetarët dhe po përpiqet të blejë kohë para zgjedhjeve duke thënë se gjuha shqipe do të përdoret në uniformat e policisë. Por këtë nuk guxon t’ia thotë padronit të vet në qeveri. Ata nuk kanë guxim të mbrojnë as atë që shqiptarëve u takon me ligj dhe Kushtetutë".

"Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është i qartë: dygjuhësia është detyrim ligjor, jo vetëm në distinktivë (bexhe), por në çdo germë e në çdo shenjë të uniformave të policisë. BDI ka lënë ligjin, aktet nënligjore dhe infrastrukturën juridike të qartë. Qeveria aktuale nuk ka as kapacitet dhe as vullnet për të çuar përpara proceset e parapara me ligj, por të paktën është e detyruar të ruajë atë që është arritur".

"Qeveria aktuale nuk pyet për ligj e për rregulla. Për ta është më e rëndësishme të imponojnë logjikën e rrezikshme se “Maqedonia e maqedonasve”, duke mos respektuar as Kushtetutën, as ligjet, as rregulloret. Ata e shohin veten si vetë shteti, duke zbatuar një platformë ideologjike që krijon artificialisht armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë funksion kanë instrumentalizuar edhe institucionet që duhet të jenë të pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, e cila është shndërruar në një organ parapolitik", thonë nga BDI.

"Kur ligji kërkon dygjuhësi dhe qeveria imponon njëgjuhësi, kjo është dëshmi e kapjes së shtetit nga një ideologji përjashtuese. Heshtja servile e partive shqiptare në pushtet vetëm sa e bën edhe më të rëndë këtë turp, sepse në emër të interesave të ngushta politike ato po pranojnë të shkelin mbi dinjitetin e shqiptarëve", thonë nga BDI.



Të ndryshme
Më shumë
VMRO-DPMNE: Kemi marrë mbi 300,000 vota! Nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, do të fitonim mbi 60 deputetë22 October 2025
Si ta parandaloni zbehjen e shpejtë të rrobave, shtoni këtë përbërës gjatë larjes 9 September 2026
SPB Tetovë: Ndalohet 47-vjeçari, kërkohej për vuajtjen e dënimit me burg 4 November 2025