Nga Rajoni
9 October 2025
Masa të forta sigurie, dalin para gjykatës 3 të arrestuarit pas vrasjes së gjyqtarit

Tre të arrestuarit për vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja do të dalin këtë të enjte para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.

Seanca do të mbahet në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës dhe do të zhvillohet nën masa të forta sigurie.

Vetë gjykata ka njoftuar se seanca do të jetë me dyer të mbyllura dhe do të marrin pjesë vetëm palët e përfshira në çështje.

Për të tre të dyshuarit, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arenc Çela, i cili ka marrë në dorë dosjen e hetimit, ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

30-vjeçari Elvis Shkambi, i dyshuar si autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), përballet me tre akuza të rënda nga Prokuroria: Vrasja e funksionarit publik, vrasja e kundërshtarëve në gjyq (e mbetur në tentativë) si dhe armëmbajtje pa leje.

Për xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, 56 vjeç, Prokuroria ka ndryshuar referimin e Policisë që më parë e akuzonte edhe për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës aktualisht dyshon se Gjoni kishte dijeni për planin e nipit të tij, por vetëm në raport me palën kundërshtare në gjyq – Rakip dhe Ervis Kurtajn – dhe se ka luajtur rolin e nxitësit në këtë tentativë.

Prokuroria thekson se Gjon Shkambi ka bërë kërcënime publike në emisione televizive, duke deklaruar se do të vriste personat që, sipas tij, kishin zaptuar godinën trekatëshe në Shkodër. Madje, sipas hetuesve, vetë familjarët kanë kallëzuar në polici për kanosje të marra nga ai.

Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja, e kryer në sallën e gjyqit, ka tronditur të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar. Zyrtarët më të lartë të drejtësisë kanë reaguar ashpër, duke kërkuar garanci për sigurinë e gjyqtarëve.

Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë:

“Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme. Siguria është në nivelin zero. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi.”

Erjon Bani, drejtues i GJKKO:

“Në 99% të gjykatave nuk plotësohen kushtet e sigurisë. Duhet ndërtim nga fillimi.”

Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatëve:

“Kjo nuk është vrasje e gjyqtarit, por e gjithë sistemit të drejtësisë. Ti dalë uji i zi kësaj pune. Unë takova kolegët tanë gjyqtarë dhe ata janë komplet të lëshuar, demoralizuar dhe njëra nga ato tha ‘na kanë nxjerrë në pritë’.”

Mbledhje urgjente me gjyqtarët pas vrasjes

Këtë të enjte kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë, që do të zhvillohet në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kjo mbledhje vjen pas ngjarjes së rëndë të 6 tetorit, kur gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë nga Elvis Shkambi, gjatë kohës që po ushtronte detyrën.

Ngjarja ndodhi në momentin që gjyqtari Kalaja dha vendimin kundër Gjon Shkambit, xhaxhait të autorit të dyshuar, në një çështje pronësie.

Më pas, Elvis Shkambi nxori armën dhe qëlloi tri herë, duke lënë të vdekur gjyqtarin dhe duke plagosur Rakip dhe Ervis Kurtajn, palë kundërshtare në proces.



Të ndryshme
Më shumë
Melinda Ademi vë në pah asetet e formësuara 2 July 2020
Demonstrohet harta, ja si do të kalojë Serbia në Detin Adriatik përmes Kosovës 7 September 2020
Studimi i Oksfordit konfirmon: Duhanpirësit vdesin më shpesh nga covidi29 September 2021