Emërimi i Igor Kuzmanovskit si drejtor në Klinikën e Neurologjisë, i cili u shkarkua pas videos së tij komprometuese duke përdorur lëndë narkotike, sipas ministrit të shëndetësisë Azir Aliu është bërë sipas rregullave ligjore, edhe pse i njëjti nuk ka pasur licencë aktive. Sipas Aliut, për tu emëruar drejtor në një institucion shëndetësor nevojiten tjera kërkesa.
“Që të jesh drejtor i një institucioni në bazë të ligjit duhet të kesh përvojë pune dhe fakultet të kryer me 240 kredi. Pra licencë për mjekë nuk kërkohet”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Megjithatë, Kuzmanovski për pesë muaj ka kryer kontrolle ndaj pacientëve, pa pasur licencë aktive. Ministri tha se për këtë kanë ngritur procedurë për shqyrtimin e kësaj çështje.
“Kjo është procedurë që ne kemi ngritur në ministri, besoj se inspektorati do të jep shpjegim. Gjithashtu edhe Oda e Mjekëve kam kërkuar që të bëjnë një grup pune, e cila do të shkon atje do ta analizon si aspektin administrativ ashtu edhe profesional”, shtoi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë gjithashtu tha se ka pasur raste të tilla edhe në të kaluarën që një mjek ka ushtruar profesionin e tij pa licencë aktive, për çka ka kërkuar që të bëhet një modul i ri i cili do të jetë i lidhur me Odën e Mjekëve, që pas skadimit të licencës, të bllokohet llogaria e mjekut në mënyrë që të mos mund të caktojë terminë për pacientët.
Skandali me Kuzmanovski shpërtheu disa ditë më parë, kur nëpër rrjetet sociale me një hov të madh filloi të shpërndahet video e tij duke përdorur lëndë narkotike, pas së cilës edhe u shkarkua nga posti i tij. Më pas doli në pah se ai nuk kishte licencë aktive për rreth shtatë muaj, respektivisht e njëjta i kishte skaduar më 15 mars të këtij viti. Ndërsa më 8 gusht të këtij viti, Kuzmanovski u emërua drejtor klinike pa licencë.
Nga Inspektorati Shëndetësor sqaruan se për rreth 5 muaj Kuzmanovski ka vazhduar ta ushtroj profesionin e tij si mjek, duke kryer kontrolle shëndetësore edhe pse nuk ka pasur licencë. Ndërsa në ditën që është emëruar drejtor ka ndërprerë kontrollet ndaj pacientëve. /Alsat.mk