Sot shënohet 558-vjetori i ndarjes nga jeta i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Më 17 janar 1468, në qytetin e Lezhës, u shua prijësi legjendar që për më shumë se dy dekada udhëhoqi qëndresën shqiptare kundër Perandorisë Osmane, duke u shndërruar në simbol të rezistencës, unitetit dhe identitetit kombëtar.
Gjergj Kastrioti lindi në vitin 1403 në familjen fisnike të Kastriotëve. I ati, Gjon Kastrioti, ishte një nga princat më të fuqishëm të kohës, ndërsa e ëma, Vojsava, luajti rol të rëndësishëm në formimin e tij. Skënderbeu mori edukim dhe stërvitje ushtarake në oborrin osman, ku u dërgua si peng, duke përvetësuar njohuri të thella strategjike dhe diplomatike që më vonë do t’i vinte në shërbim të çështjes shqiptare.
Më 28 nëntor 1443, pas kthimit në atdhe, ai çliroi Krujën dhe ngriti flamurin e Kastriotëve, duke shënuar fillimin e kryengritjes së përgjithshme shqiptare. Kulmi i këtij bashkimi u arrit më 2 mars 1444, me mbajtjen e Kuvendit të Lezhës, ku Skënderbeu bashkoi principatat shqiptare dhe hodhi themelet e një organizimi të përbashkët politik e ushtarak, të njohur si shteti arbëror.
Nën udhëheqjen e Skënderbeut, forcat shqiptare fituan një sërë betejash të rëndësishme kundër ushtrive osmane, në Pollog, Dibër, Ohër, Domosdovë, Vajkal, Ujë të Bardhë dhe në grykat strategjike të vendit. Ai u shqua si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, duke përballuar me sukses ushtri shumë herë më të mëdha e më të organizuara.
Lufta e shqiptarëve me Skënderbeun në krye shënoi një kthesë vendimtare në organizimin politik dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Përveç mbrojtjes së trojeve shqiptare, qëndresa e tij pengoi avancimin osman drejt Evropës, duke i siguruar atij mirënjohjen e Papatit të Romës dhe të fuqive evropiane të kohës.
Edhe pas vdekjes së tij, figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut mbetet e gjallë në kujtesën historike të kombit shqiptar, si simbol i përhershëm i luftës për liri, dinjitet dhe identitet kombëtar.