Nga Rajoni
19 January 2026
Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë të votave në Kosovë: Vota nuk tjetërsohet, vota mbrohet

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjitha qytetet e Kosovës, pas shpërputhjeve të evidentuara në rezultatet e kandidatëve të partive të ndryshme, përfshirë edhe LDK-në, gjatë rinumërimit të disa vendvotimeve.

Në një reagim të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se tjetërsimi i votës nuk ka ndodhur si pasojë e gabimeve, por si akt i qëllimshëm ndaj kandidatëve të rinj dhe të pastër në politikë.

“Ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar se ajo që po ndodh në disa qytete nuk është rastësi, por rezistencë ndaj reformës dhe ndryshimit.

“Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës sonë pesëvjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim, duke kërkuar përgjegjësi ligjore, përfshirë edhe dënime me burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë.

“Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Në fund, ai ka theksuar se, edhe pse LDK ka më së paku parregullsi krahasuar me subjektet e tjera, kjo e obligon partinë për një përgjegjësi edhe më të madhe në mbrojtje të votës së lirë.



Të ndryshme
Më shumë
Isen Shabani nis vitin 2026 me fushatë intensive dhe mbështetje të gjerë qytetare 6 January 2026
Dhe ky është truri juaj TikTok10 January 2024
Rutte dhe Mickoski riafirmojnë partneritetin strategjik me NATO-n në Shkup 3 March 2026