Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ai e ka cilësuar Rugovën si figurë themelore të shtetformimit të Kosovës dhe të vizionit politik shqiptar.
Në mesazhin e tij, Ahmeti thekson se trashëgimia politike e Presidentit Rugova vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe sot, në një periudhë sfidash të reja për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Sipas tij, me mençuri, durim dhe vizion evropian, Rugova ndërtoi themelet e diplomacisë kosovare dhe e vendosi çështjen e Kosovës në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Ali Ahmeti vlerëson se Presidenti Rugova besoi fuqishëm në lirinë, dinjitetin dhe orientimin euroatlantik, duke i qëndruar stoik represionit dhe padrejtësive, pa u larguar asnjëherë nga ideali për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Në fund të postimit, Ahmeti nderon veprën dhe filozofinë politike të Dr. Ibrahim Rugovës, duke e cilësuar atë si vlerë të përhershme të historisë kombëtare shqiptare.