Nga Vendi
8 February 2026
Zaev reagon pas një kohe të gjatë: Demanton akuzat e VMRO-DPMNE-së dhe paralajmëron padi

Ish-kryetari i LSDM-së dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka reaguar publikisht pas një periudhe të gjatë heshtjeje politike, duke demantuar ashpër atë që i quan “gënjeshtra dhe shpifje të vazhdueshme” nga VMRO-DPMNE-ja dhe përfaqësuesit e saj.

Reagimi i Zaevit është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ai thekson se tashmë pesë vite është tërhequr plotësisht nga politika, që nga momenti i dorëheqjes nga të gjitha funksionet politike dhe shtetërore.

“Prej pesë vitesh jam jashtë politikës… pothuajse çdo ditë që nga largimi im, partia VMRO-DPMNE, udhëheqësia e saj, zëdhënësit dhe mediat e tyre nuk kanë pushuar së marri me mua, duke përhapur vazhdimisht gënjeshtra, shpifje dhe fyerje”, shkruan Zaev.

Ai kërkon publikisht falje nga deputeti Petrushevski dhe nga VMRO-DPMNE-ja, duke i akuzuar për keqpërdorim të qëllimshëm të emrit të tij në rastin e konfiskimit të kanabisit mjekësor.

“Është një gënjeshtër e pacipë se jam i lidhur në çfarëdo mënyre me rastet e kanabisit… po ashtu është gënjeshtër e paturpshme se kam telefonuar në Administratën Doganore”, thekson Zaev.

Në reagimin e tij, ish-kryeministri mohon edhe një sërë pretendimesh të tjera që, sipas tij, janë përsëritur vazhdimisht nga kundërshtarët politikë, përfshirë ndërtimin e supozuar të rrokaqiejve në Dubai, presion për blerjen e spitalit të dr. Zhan Mitrev dhe ndërhyrje në institucionet gjyqësore.

“Kam duruar fyerje të përditshme tashmë pesë vite… por tani mjaft më!”, shkruan ai, duke paralajmëruar se nëse nuk ka kërkim falje brenda afatit ligjor, do të ndjekë rrugën e drejtësisë.

“Do të paraqes padi kundër Petrushevskit dhe VMRO-DPMNE-së dhe do të luftoj me të gjitha mjetet juridike për ta hequr këtë njollë nga emri im”, përfundon Zaev./ AlmakPress



Të ndryshme
Më shumë
“Motra jote më e mirë se ti”, Dojna Mema revoltohet pas komentit që mori: “Injorancë”14 September 2020
Rita Ora i përgjigjet thirrjes së ‘UNICEF’, organizon koncert nga shtëpia 7 August 2020
Maqedoni: Propozim-ligji për akademi të gjyqtarëve dhe prokurorëve publik para Komisionit për Sistem Politik20 September 2021