Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa pak hapa mbeten deri në vendimin e trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, ata dyshohen për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si dhe për burgosje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe akte të tjera çnjerëzore. Krimet pretendohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse, fillimisht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më pas nga Mbrojtësi i Viktimave dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve. Katërshja e ish-eprorëve të UÇK-së ndodhet në paraburgim në Holandë që nga nëntori i vitit 2020.
Aktakuza u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërsa gjykimi filloi më 3 prill 2023, pas përfundimit të procedurave paraprake. Gjatë procesit, Prokuroria paraqiti dëshmi dhe prova që, sipas saj, mbështesin pretendimin për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, akuzë e cila është hedhur poshtë nga ekipet mbrojtëse.
Gjatë gjykimit u dëgjuan mbi 125 dëshmitarë të Prokurorisë, ndërsa mbrojtja thirri disa dëshmitarë kyç, përfshirë ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe përfaqësues të NATO-s, të cilët argumentuan se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional dhe se të akuzuarit nuk kishin përgjegjësi për veprimet e pretenduara kriminale.
Pas përmbylljes së deklaratave përfundimtare, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat fillestar prej tre muajsh për shpalljen e vendimit, me mundësi shtyrjeje në raste të veçanta.