Funksionarët e lartë shtetërorë në Maqedoninë e Veriut nuk do të kenë rritje pagash gjatë këtij viti, pasi në Kuvend pritet të miratohet me procedurë të përshpejtuar një nismë ligjore për uljen e koeficientëve të llogaritjes.
Ndryshimet përfshijnë gjashtë ligje që rregullojnë pagat e zyrtarëve dhe prekin rreth një mijë funksionarë, të cilët do të vazhdojnë të marrin të ardhurat aktuale. Me këtë hap shmanget rritja automatike prej mbi 200 eurosh në muaj, e cila do të vinte si rezultat i rritjes së pagës mesatare në vend.
Në krye të hierarkisë shtetërore, Presidentja e shtetit, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit do të vazhdojnë të marrin rreth 215 mijë denarë në muaj, afërsisht 3 mijë e 500 euro. Ministrat, Guvernatorja e Bankës Popullore, Avokati i Popullit dhe Kryetarja e Qytetit të Shkupit do të paguhen rreth 176 mijë denarë, ose rreth 2 mijë e 860 euro. Zëvendësministrat, disa drejtorë dhe kryetarë komunash do të kenë paga më të ulëta në varësi të koeficientit përkatës.
Në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë, pagat variojnë nga 133 mijë denarë, rreth 2 mijë e 160 euro, deri në mbi 160 mijë denarë, rreth 2 mijë e 600 euro, në varësi të kategorisë dhe përvojës. Prokurori i Shtetit dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor marrin mbi 176 mijë denarë, ndërsa kryetarët e këtyre këshillave paguhen mbi 190 mijë denarë.
Ulja e koeficientëve vjen pas një periudhe trevjeçare me rritje të ndjeshme të pagave, e nxitur nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese që ndryshoi bazën e llogaritjes. Aktualisht, vetë Gjykata Kushtetuese ka hapur procedurë për të shqyrtuar ligjshmërinë e këtyre uljeve për gjyqtarët dhe prokurorët, duke u mbështetur në standardet ndërkombëtare që garantojnë pavarësinë financiare gjatë mandatit.