Nga Rajoni
26 February 2026
Bekim Jashari i jep fund spekulimeve, familja Jashari nuk synon Presidencën

Vetëm pak ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, skena politike vazhdon të mbetet pa një marrëveshje të qartë dhe pa emra konkretë që sigurojnë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Deri tani kandidaturën e ka bërë publike vetëm presidentja aktuale, Vjosa Osmani, por sipas zhvillimeve të fundit ajo nuk duket se i ka votat e mjaftueshme për t’u rizgjedhur në postin e kreut të shtetit.

Në opinionin publik janë përfolur edhe emra nga familja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, si figura të mundshme për presidencën. Madje, ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, deklaroi se mes partive ekziston konsensus vetëm për një kandidat që do të vinte nga familja Jashari.

Megjithatë, vetë familja ka hedhur poshtë këto zëra. Fillimisht Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, bëri të ditur se nuk ka interes për postin e presidentit, duke theksuar se ua ka sqaruar partive arsyet e refuzimit dhe se mbi supet e tij rëndon një barrë e madhe.

Të njëjtin qëndrim e konfirmoi edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, djali i Hamzë Jasharit, i cili deklaroi se nuk ka asgjë për t’i shtuar fjalëve të Murat Jasharit, duke lënë të kuptohet qartë se familja nuk synon këtë post.

Me afatin që po afron, mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë kompromis për zgjedhjen e presidentit të ri, apo Kosova do të përballet me një tjetër ngërç institucional.



Të ndryshme
Më shumë
Zgjedhjet e 11 majit/ Jozefina Topalli: Vota e diasporës do të bëjë ndryshimin historik30 April 2025
Futbollisti i njohur i propozon të dashurës me unazën 470,000 euro24 June 2021
Pendarovski: Maqedonia po ngec në rrugën drejt BE-së për shkak të mungesës së vullnetit politik10 November 2025