Nga koalicioni VLEN deklarojnë se brenda Bashkimi Demokratik për Integrim ka nisur një përplasje e brendshme, duke pretenduar se situata nuk është më si më parë.
Sipas tyre, në njërën anë qëndron Ali Ahmeti me grupin e ish funksionarëve, të cilët, siç thuhet në reagim, paraqiten si të pafajshëm dhe të ndershëm, ndërsa në anën tjetër është Artan Grubi, për të cilin VLEN thotë se është ngarkuar me përgjegjësi për çështjet politike dhe korruptive të partisë.
Në kumtesën për media theksohet se Grubi nuk është një ish funksionar i zakonshëm, por personi që, sipas VLEN-it, njeh në detaje funksionimin e sistemit të ndërtuar ndër vite nga BDI. Ai cilësohet si arkiva e gjallë dhe lëvizëse e një skeme partiake që, sipas tyre, është mbajtur e fshehur nga opinioni publik.
Më tej thuhet se me përfshirjen e institucioneve në hetime, procesi po hyn në një fazë ku, sipas VLEN-it, komunikatat dhe deklaratat publike nuk mjaftojnë më, pasi tani, siç shprehen ata, do të flasin faktet. Ata pretendojnë se institucionet kanë nisur të gërmojnë mbi mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe menaxhimin e mjeteve buxhetore.
Në fund të reagimit, VLEN ngre pyetje publike se kush brenda BDI-së po i bën presion Artan Grubit dhe nëse ekzistojnë përpjekje për ta detyruar atë të heshtë dhe të mos bashkëpunojë me institucionet.