Nga Rajoni
28 February 2026
Kosovë, dilema për presidentin e ri, Osmani kërkon mandat të dytë ndërsa shtohen pikëpyetjet politike

Kosova pritet që të mërkurën e ardhshme të ketë presidentin e ri, në të kundërt vendi mund të përballet me zgjedhje të reja. Megjithëse afati kushtetues po afrohet, ende nuk ka qartësi të plotë rreth emrit që do të marrë drejtimin e shtetit.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon një mandat të dytë, duke theksuar nevojën për të vazhduar, sipas saj, punët e mira të nisura gjatë qeverisjes së saj. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike sugjerojnë se mbështetja për të nuk është aq e konsoliduar sa pesë vite më parë.

Në veçanti, raportet me Lëvizja Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti, duken më të rezervuara krahasuar me periudhën kur kjo forcë politike ishte mbështetëse e fuqishme e Osmanit. Në javët e fundit, dy liderët nuk janë parë shpesh në aktivitete të përbashkëta publike, çka ka shtuar spekulimet për qëndrimet aktuale politike.

Përjashtim bëri ceremonia e sotme e mbajtur nga KFOR në bazën ushtarake Camp Bondsteel, ku u zhvillua ndërrimi i komandës. Në këtë aktivitet morën pjesë si Osmani ashtu edhe Kurti, ndërsa fotografitë e publikuara nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tregojnë praninë e përbashkët të tyre në ceremoni.

Në një klimë politike të ngarkuar dhe me kohë të kufizuar për arritjen e konsensusit, mbetet për t’u parë nëse partitë do të arrijnë marrëveshje për presidentin e ri apo vendi do të hyjë në një tjetër cikël zgjedhor.



Të ndryshme
Më shumë
Noizy paralajmëron diçka të madhe në gusht, për çfarë bëhet fjalë?25 March 2022
Vuçiq s’respekton Marrëveshjen e Washingtonit për punën e Ambasadës në Jerusalem 1 July 2021
Katër viktima dhe 78 raste të reja me Covid-19, shërohen 40 pacientë24 August 2020