Një fenomen i rrallë qiellor do të jetë i dukshëm këtë fundjavë, kur gjashtë planete do të shfaqen njëkohësisht në qiellin e natës, duke krijuar një panoramë mbresëlënëse për vëzhguesit e hapësirës.
Sipas ekspertëve, Jupiter, Saturn, Venus, Mercury, Neptune dhe Uranus do të mund të vërehen në të njëjtën kohë gjatë mbrëmjeve të ditëve në vijim. Megjithatë, për të dalluar Neptunin dhe Uranin do të nevojiten dylbi ose teleskop, pasi janë më pak të ndritshëm dhe vështirë të dukshëm me sy të lirë.
Në kuadër të këtij fenomeni, NASA ka publikuar sonifikime të reja nga Chandra X-ray Observatory, duke i kthyer të dhënat e rrezeve X në tinguj për Jupiterin, Saturnin dhe Uranin, një mënyrë inovative për ta përjetuar hapësirën përmes dëgjimit.
Astrofizikania Megan Argo nga Universiteti i Lancashire shpjegon se planetët duken të rreshtuar sepse orbitat e tyre i kanë sjellë në të njëjtën zonë të qiellit nga këndvështrimi i Tokës. Meqenëse secili lëviz me shpejtësi të ndryshme rreth Diellit, pozicionet e tyre ndryshojnë vazhdimisht dhe vetëm herë pas here ndodh që disa prej tyre të shfaqen së bashku në qiell.
Sipas saj, ndonëse katër ose pesë planete mund të shihen relativisht shpesh njëkohësisht, shfaqja e gjashtë planetëve është dukshëm më e rrallë. Rreshtimi i plotë i shtatë planetëve u regjistrua vitin e kaluar, ndërsa një fenomen i ngjashëm pritet të ndodhë sërish në vitin 2040.
Më 28 shkurt dhe disa ditë përreth kësaj date, gjashtë planetët do të jenë të dukshëm në mbrëmje herët. Ekspertët rekomandojnë që vëzhgimi të bëhet rreth orës 17,45 në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreth orës 18,00 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke zgjedhur një vend me horizont të hapur nga perëndimi dhe larg ndriçimit artificial.
Planetët do të shfaqen në një vijë të harkuar nëpër qiell. Në hemisferën veriore, Jupiteri do të jetë lart në juglindje, ndërsa Merkuri, Saturni, Neptuni dhe Venusi do të duken pranë horizontit në perëndim. Venusi pritet të jetë më i ndritshmi, ndërsa Merkuri më i zbehti. Urani do të jetë më i vështirë për t’u dalluar dhe do të pozicionohet pranë grupit të yjeve të njohur si “Shtatë Motrat”.
Fenomeni do të jetë i dukshëm edhe në hemisferën jugore, me një renditje të përmbysur të planetëve. Gjatë këtyre ditëve, në qiell do të jetë e pranishme edhe Hëna, duke e bërë pamjen edhe më të pasur për të apasionuarit pas astronomisë.
Ekspertët këshillojnë përdorimin e aplikacioneve për vëzhgimin e qiellit për identifikimin më të saktë të planetëve dhe paralajmërojnë që të mos shihet kurrë Dielli përmes dylbive apo teleskopit, pasi kjo mund të shkaktojë dëmtime serioze dhe të përhershme në sy.