ShowBiz
28 February 2026
Salvini përgëzon Ermal Metën në Sanremo, deklarata ngjall debat në median italiane

Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, ka përgëzuar publikisht artistin me origjinë shqiptare Ermal Meta, i cili konkurron në Festival di Sanremo 2026 me këngën Stella Stellina.

Në një reagim publik, Salvini vlerësoi zotërimin e gjuhës italiane nga ana e këngëtarit, duke theksuar rrjedhshmërinë e tij në italisht. Deklarata e tij, megjithatë, është interpretuar nga një pjesë e mediave italiane si një gafë, duke kujtuar se Ermal Meta jeton në Itali prej rreth tre dekadash, që nga koha kur u transferua në Bari me nënën dhe motrën në moshën trembëdhjetë vjeçare.

Salvini e zgjeroi më tej reagimin e tij në temën e emigracionit, duke deklaruar se miliona gra dhe burra të lindur jashtë Italisë janë integruar plotësisht në shoqërinë italiane dhe kontribuojnë çdo ditë me punën e tyre. Ai theksoi se i mirëpret emigrantët e integruar, ndërsa vijon të kundërshtojë emigracionin e paligjshëm dhe kriminalitetin, duke shtuar se është i bindur se edhe Meta ndan të njëjtin qëndrim. Në fund të mesazhit të tij, ai përshëndeti popullin shqiptar dhe festivalin e Sanremos.

Debati nisi pas një deklarate të Ermal Metës në konferencën për shtyp të festivalit, ku ai foli për një varfërim të gjuhës në tekstet e këngëve. Duke iu referuar një vlerësimi nga Accademia della Crusca, Meta tha se nëse teksti më i mirë është shpallur ai i shkruar nga një emigrant, kjo ngre pikëpyetje për reflektim. Me ironi ai shtoi se është i huaj, ndërsa nga salla e shtypit u dëgjua batuta që të mos i thuhej kjo Salvinit, së cilës artisti iu përgjigj me humor.

Në të njëjtën konferencë, këngëtari theksoi edhe mesazhin e këngës së tij, duke shprehur shqetësimin se sot të rriturit bëjnë më shumë zhurmë se fëmijët dhe se shpesh krijohet një heshtje e imponuar për tema të caktuara. Ai deklaroi se nuk duhet të ketë tabu për fjalë apo çështje që kërkojnë diskutim të hapur, duke nënvizuar rëndësinë e lirisë së shprehjes.



Të ndryshme
Më shumë
Filipçe: Moskujdesi i qytetarëve mund të rikthejë izolimin12 July 2020
ESHS shpall konkurs për paraqitjen e kandidatëve për regjistrim23 February 2021
Pritjes së ëmbël i vjen fundi, Olta Gixhari bëhet nënë për herë të parë22 August 2020