Nga Vendi
1 March 2026
HAPET QARKORJA E RE NË KRIVA PALLANKË, INVESTIM STRATEGJIK NË KORRIDORIN 8

Qarkorja e rikonstruktuar në Kriva Pallankë u inaugurua sot në një ceremoni zyrtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë qeveritarë, duke shënuar një tjetër hap në zhvillimin e infrastrukturës rrugore në lindje të vendit. Projekti përfshin një rrugë me gjatësi 4,5 kilometra dhe gjerësi 7,5 metra, me sinjalizim horizontal dhe vertikal të plotë, si dhe rikonstruktimin e dy urave përgjatë segmentit.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, theksoi se kjo vepër infrastrukturore ka rëndësi të veçantë pasi është pjesë e Korridori 8 dhe shërben si lidhje strategjike me Bullgarinë fqinje. Sipas tij, modernizimi i qarkores dhe zhvillimi i rrugës ekspres nga Kriva Pallanka drejt Stracinës forcojnë krahun lindor të këtij korridori ndërkombëtar.

Kryeministri Kristijan Mickoski deklaroi se në periudhën e ardhshme priten investime prej disa qindra milionë eurosh në këtë rajon, duke përfshirë ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Bullgarinë, fazën e dytë të rikonstruksionit të pikës kufitare dhe projekte të tjera rrugore. Ai u shpreh se investimet infrastrukturore janë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe për krijimin e kushteve që qytetarët të shohin perspektivë brenda vendit.

Ndërkohë, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, bëri të ditur se qarkorja është ndërtuar në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë, duke garantuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët dhe transportin ndërkufitar.

Hapja e këtij aksi konsiderohet si një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin rajonal dhe në forcimin e lidhjeve ekonomike me vendet fqinje.



Të ndryshme
Më shumë
MSH-Maqedoni: 87% e të infektuarve nuk ka janë vaksinuar, asnjë viktimë në mesin e të vaksinuarve13 August 2021
Vdes aktorja e njohur shqiptare22 October 2021
MASH: Do të ndahen 1570 bursa për nxënësit në arsim të dyfishtë16 June 2025