Nga Vendi
4 March 2026
Gjykata Kushtetuese hap lëndë për emërtimin e rrugëve në Tetovë, rikthehen debatet për gjuhën dhe ligjshmërinë

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të hapë lëndë lidhur me emërtimin e rrugëve në Tetovë, pas një nisme të dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945. Sipas raportimit të Portalb.mk, nisma ka marrë miratimin e gjykatësve kushtetues për shqyrtim të mëtejmë.

Në kërkesën e tyre, nismëtarët theksojnë se Këshilli i Komunës së Tetovës ka ndryshuar emrat e disa rrugëve në vitin 2007 pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i miratuar në vitin 2004 në Kuvend.

Sipas nismës, emërtimet duhet të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Në dokument thuhet se, “Kushtetuta dhe Ligji urdhërojnë që emrat e rrugëve të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik. Është e paligjshme që rruga të quhet Kongresi i Manastirit ose Dëshmorët e Kombit pasi ato janë të shkruara në gjuhën shqipe, por në shkrim cirilik”.

Nismëtarët sqarojnë se emrat e rrugëve që janë në gjuhën shqipe duhet të përkthehen dhe të kenë kuptim në maqedonisht, duke argumentuar se vetëm në këtë mënyrë respektohet plotësisht korniza ligjore në fuqi.

Çështja e emërtimit të rrugëve mbetet një temë e ndjeshme në Tetovë dhe ka nxitur debate të shumta politike ndër vite. Procesi i riemërtimit nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021 2025 dhe u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale, ndërsa grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti.

Në këtë proces nuk përfshihet ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ndonëse në vitin 2022 ishte promovuar një nismë më e gjerë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komuna e Tetovës, e cila parashihte ndryshime edhe në këto institucione.

Aktualisht, ndonëse disa rrugë në Tetovë janë emërtuar në gjuhën shqipe dhe përdoren nga Komuna në komunikimin me qytetarët, në dokumentet zyrtare vazhdojnë të figurojnë emërtimet e vjetra nga periudha e ish Jugosllavisë. Edhe më herët janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme, të cilat nuk kanë arritur të përfundojnë plotësisht.



Të ndryshme
Më shumë
Në Zvicër po shqyrtohet mundësia që në autostradë shpejtësia maksimale të jetë 60 km/orë23 August 2021
Largimi i Messi, Barcelona thyen heshtjen26 August 2020
Familja nga Tetova bëjnë dasëm edhe pse të gjithë rezultuan pozitv me COVID-1910 August 2021