Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ndërmjet Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Irani ka nxitur shqetësime edhe te qytetarët e Maqedonisë së Veriut për ndikimin e mundshëm në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë. Sipas raportimit të Portalb.mk, qytetarët shprehen të pasigurt për zhvillimet ekonomike në vend.
Disa prej tyre theksojnë se frika për rritje çmimesh është e pranishme, duke pasur parasysh përvojat e mëparshme. Një qytetar u shpreh se, “Normal se kemi frikë, jetojmë në një vend ku gjithnjë kemi pasiguri, të them të drejtën presim që të rriten çmimet si e bëjnë çdoherë”.
Një qytetare tjetër deklaroi se, “Nuk e di, nuk i kuptoj këto punë por mendoj se këtu te ne vetëm sa presin të bëhet diçka dhe menjëherë të na godasin në xhep”.
Po ashtu, një tjetër qytetare theksoi se, “Po, presim të rriten çmimet edhe pse janë shumë të larta të produkteve bazike, jeta është bërë shumë e shtrenjtë, pagat e ulëta”.
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, deklaroi se aktualisht nuk ka arsye për panik dhe se institucionet po e monitorojnë situatën. Ai u shpreh se, “Tani për tani gjendja është stabile, do presim në ditët në vijim se çfarë pasoje mund të ketë situata e krijuar në Lindje dhe si Qeveri do të reagojmë menjëherë në qoftë se do të paraqiten pasoja të tilla krize ekonomike”.
Durmishi njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim do të prezantohet shporta mesatare konsumatore, si indikator i lëvizjes së çmimeve në treg.
Ndërkohë, përshkallëzimi i konfliktit ka përfshirë edhe Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Transporti detar përmes kësaj ngushtice, që përçon rreth një të pestën e naftës së konsumuar globalisht dhe sasi të konsiderueshme gazi, është ndikuar ndjeshëm, duke çuar në rritje të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.