Kuvendi i Shqipërisë miratoi dekretet e presidentit Bajram Begaj për ndryshimet në kabinetin qeveritar, duke votuar shkarkimin e disa ministrave dhe emërimin e zëvendësuesve të tyre.
Deputetët votuan shkarkimin e Belinda Ballukut me 85 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime. Po ashtu, u miratua edhe shkarkimi i Elisa Spiropalit nga posti i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme me 83 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.
Në seancë u votua edhe shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili u miratua me 81 vota pro dhe pa vota kundër apo abstenime.
Pas këtyre vendimeve, Kuvendi miratoi edhe ministrat e rinj të qeverisë. Ferit Hoxha u votua ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme me 83 vota pro. Besfort Lamallari u miratua ministër i Punëve të Brendshme me 83 vota pro dhe 4 kundër.
Ndërkohë, Ermal Nufi u miratua ministër i Mbrojtjes me 83 vota pro dhe 6 kundër, ndërsa Toni Gogu u votua ministër i Drejtësisë me 83 vota pro dhe 5 kundër.
Gjithashtu, Enea Karakaçi u miratua ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë me 83 vota pro dhe 6 kundër, ndërsa Erjona Ismaili u votua ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin me 82 vota pro dhe 4 kundër.