Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Me këtë vendim, Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të reja.
Osmani deklaroi se situata është krijuar si pasojë e mosarritjes së Kuvendit për të përmbushur detyrimin kushtetues. “Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese”, u shpreh ajo.
Sipas presidentes, moszgjedhja e presidentit nuk ishte rastësi, por një proces i menduar politikisht. “Ky dështim nuk ishte as rastësor, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar për fat të keq”, tha Osmani.
Ajo shtoi se kërkesat për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nuk e ndalin automatikisht afatin kushtetues, ndërsa paralajmëroi se do të thërrasë në takim liderët politikë për të përcaktuar datën e zgjedhjeve.