Nga Rajoni
7 March 2026
Grenell për rikthimin e Thaçit në politikë: Thaçi për kryeministër

I dërguari për misione të posaçme i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka bërë thirrje për rikthimin në politikë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Reagimi i tij vjen në një moment kur Kosova po përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja pas shpërndarjes së Kuvendit.

Në një postim në rrjetin social X, Grenell e ka përshëndetur vendimin për shpërndarjen e parlamentit dhe ka shprehur hapur mbështetjen për një rol të ri politik të Thaçit në të ardhmen.

Ai u shpreh se, lajmi është i shkëlqyer dhe se Zoti po i përgatit të gjithë për rikthimin e Hashim Thaçit, duke shtuar se Thaçi mund të jetë kryeministër.

Ish-presidenti i Kosovës aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, akuza për të cilat ai është deklaruar i pafajshëm. Procesi gjyqësor ndaj tij është ende në zhvillim.

Grenell ka qenë i përfshirë edhe më herët në zhvillimet politike që lidhen me Kosovën. Në vitin 2019 ai u emërua nga Donald Trump si i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa në vitin 2020 u arrit edhe Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin ekonomik mes dy vendeve.



Të ndryshme
Më shumë
Konstituimi i Kuvendit nuk mjafton, zgjedhja e presidentit mbetet sfida kryesore në Kosovë 3 August 2026
Osmani: Thaçin askush s’duhet ta quajë “zagar të amerikanëve”, ai ka qenë kryeministër dhe kryetar në kohëra historike 6 July 2021
Shqipëria drejt restaurimit të 523 kullave, projekti që synon të ringjallë turizmin malor 7 April 2026