Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare pësuan rritje të ndjeshme pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke rritur shqetësimet për ndërprerje të mundshme në furnizimin global me energji. Sipas të dhënave të raportuara nga Trading Economics, çmimi i naftës Brent u rrit me më shumë se shtatë për qind, duke arritur rreth 91 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2024. Ndërkohë, nafta bruto amerikane WTI u rrit me më shumë se 10 për qind, duke arritur rreth 89 dollarë për fuçi.
Ministri i Energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, paralajmëroi se eksportuesit e Gjirit mund të ndalin prodhimin brenda pak ditësh nëse tankerët nuk do të mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë, ku çdo ditë kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë dhe produkte të saj.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta, pasi zyrtari iranian Abbas Araqchi deklaroi se Irani nuk po kërkon negociata. Në këtë situatë, Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar mundësinë e ndërmarrjes së masave për të lehtësuar presionin në treg, përfshirë lirimin e mundshëm të naftës nga rezervat strategjike.
Sa i përket situatës në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se nuk ka arsye për shqetësim. “Kemi arritur në përfundimin se nuk ka vend për shqetësim dhe se situata është plotësisht nën kontroll. Ka furnizime me karburant dhe nevojat për naftë janë përmbushur plotësisht. Do të vazhdojmë ta monitorojmë nga afër situatën dhe të reagojmë në varësi të nevojave reale”, deklaroi Mickoski pas një takimi me përfaqësues të industrisë së naftës në vend.