Ylli portugez Cristiano Ronaldo po qëndron jashtë fushave për shkak të një dëmtimi në muskujt e kofshës dhe ka udhëtuar drejt Madridit për t’iu nënshtruar një trajtimi të specializuar me qëllim rikuperimin sa më të shpejtë.
Sulmuesi i Al Nassr po ndjek një metodë moderne rehabilitimi që përdor presion pozitiv në indet e këmbëve për të përshpejtuar shërimin e muskujve. Kjo teknikë ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, redukton ënjtjen dhe përshpejton procesin e rikuperimit pas dëmtimeve.
Trajtimi realizohet përmes një pajisjeje speciale me çizme që fryhen dhe ushtrojnë presion të kontrolluar në këmbë, duke stimuluar qarkullimin e gjakut dhe duke ndihmuar në relaksimin e muskujve. Seancat zakonisht zgjasin nga 20 deri në 45 minuta dhe për rezultate optimale rekomandohen nga tetë deri në dymbëdhjetë seanca.
Më herët, trajneri i Al Nassr, Jorge Jesus, kishte qetësuar opinionin publik duke theksuar se gjendja e futbollistit është nën kontroll dhe se ai po ndjek një program të kujdesshëm rikuperimi.
Ronaldo synon të rikthehet në formën më të mirë para Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Meksikë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, në fund të marsit është planifikuar edhe një ndeshje miqësore mes Meksikës dhe Portugalisë, ku pritet që portugezi të jetë gati për të zbritur sërish në fushë.