Nga Bota
12 March 2026
Khamenei kërcënon me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, rriten tensionet mes Iranit dhe SHBA

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka bërë deklaratën e tij të parë publike duke paralajmëruar masa të ashpra kundër interesave amerikane në rajon, përfshirë edhe mundësinë e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.

Në një mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror iranian, ai theksoi se Teherani do të vazhdojë të përdorë këtë ngushticë strategjike si mjet presioni në përballjen me kundërshtarët e tij. Sipas tij, Irani do të mbajë një politikë miqësore me vendet fqinje, por njëkohësisht u bëri thirrje atyre të mbyllin bazat ushtarake amerikane në territorin e tyre.

Khamenei paralajmëroi gjithashtu se Irani do të vazhdojë të shënjestrojë këto baza nëse ato përdoren kundër interesave iraniane dhe u zotua për hakmarrje pas sulmit të fundit në qytetin Minab, ku sipas autoriteteve iraniane një shkollë u godit nga një raketë që pretendohet se ishte amerikane.

Deklaratat e tij kanë nxitur reagim të menjëhershëm nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili në një reagim publik theksoi se SHBA nuk do të lejojë që Irani të zhvillojë armë bërthamore. Ai u shpreh se, “nuk do ta lejoj kurrë që një perandori e ligë të ketë armë bërthamore dhe të shkatërrojë Lindjen e Mesme dhe botën”.

Ndërkohë, diplomacia evropiane po përpiqet të ulë tensionet në rajon. Gjatë një vizite në Turqi, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike dhe për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.



Të ndryshme
Më shumë
Dënohet me burgim të përjetshëm kosovari që e vrau gruan e tij në Gjermani 5 August 2021
Tetovë: Gjoba prej 200 - 500 euro për shitjen dhe përdorimin e kapsollave 8 December 2020
Bashkimi Evropian shpreh ngushëllime për tragjedinë në Tetovë 9 September 2021