Nga Vendi
15 March 2026
Pendarovski: Gjuha shqipe është zyrtare, por zbatimi në praktikë mbetet problem

Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka folur për statusin dhe zbatimin e gjuhës shqipe në vend, duke theksuar se edhe pse ajo është e rregulluar me ligj, në praktikë shpesh nuk zbatohet plotësisht në institucione.

Në një intervistë për TV21 në emisionin “Këndi i Debatit”, Pendarovski tha se gjuha shqipe është bërë zyrtare për shkak të përqindjes së shqiptarëve që jetojnë në vend.

“Është zyrtare për shkak të 20% të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Ne kemi ndryshuar disa herë ligjin për gjuhët duke përmirësuar të drejtat e shqiptarëve”, deklaroi ai.

Sipas tij, një shqetësim i ri lidhet me një iniciativë të dorëzuar në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, ku kërkohet shqyrtimi i përputhshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve me Kushtetutën.

“Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh ai.

Megjithatë, Pendarovski theksoi se sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i ligjit, sidomos në institucione dhe në sistemin gjyqësor.

“Shqiptarët mund ta përdorin këtë gjuhë, por në shumë raste nuk e shohim zbatimin e plotë në institucione dhe gjykata”, tha ai, duke shtuar se ligji nuk duhet të mbetet vetëm një argument politik.

“Njëri nivel është i vendosur në ligj, por nuk e shohim në përdorim me njerëzit. Nëse ligji është vetëm për propagandë politike, atëherë duhet të pyesim a po zbatohen në praktikë këto të drejta në jetën e përditshme”, deklaroi Pendarovski.



Të ndryshme
Më shumë
E tepruan me bakllava, përfunduan në emergjencë21 July 2021
Ndërron jetë ish-kryetari i Komunës Qendër Zhupa, Mazllum Hasan 8 September 2020
Hoxha: Të gjithë deputetët t’i mbështesin ndryshimet ligjore me të cilat e diela do të jetë ditë jo pune15 September 2021