Nga Rajoni
16 March 2026
Subjektet politike serbe në Kosovë nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, synojnë një alternativë të re politike

Tri subjekte politike nga komuniteti serb në Kosovë, iniciativat qytetare “Rrënjët” dhe “Veriu për të gjithë”, si dhe Lëvizja Popullore Serbe, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me synimin për të forcuar unitetin dhe për të përmirësuar pozitën e serbëve në vend.

Marrëveshja u nënshkrua më 15 mars dhe parashikon bashkërendimin e veprimeve politike, përfshirë edhe mundësinë e një paraqitjeje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Këto subjekte aktualisht kanë këshilltarë në kuvendet komunale të Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Ranillugut.

Njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes dhe udhëheqësi i iniciativës “Rrënjët”, Ivan Vuçkoviç, tha se bashkëpunimi synon të ofrojë një qasje të re politike për komunitetin serb. Ai theksoi se qëllimi është të krijohet një perceptim ndryshe i rrethanave politike dhe të ofrohet një alternativë për qytetarët.

“Ne besojmë se uniteti mund të çojë në përparim. Nuk e nënshkruam këtë marrëveshje për të konkurruar me askënd, por për të ofruar një perceptim ndryshe të kushteve politike. Ne do të ofrojmë programin dhe njerëzit tanë”, tha Vuçkoviç.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, deklaroi se marrëveshja synon krijimin e një politike të re për komunitetin serb në Kosovë. “Për shumë vite këtu është ndjekur një politikë e gabuar e diktuar nga Lista Serbe, e cila ka pasur mbështetjen e Beogradit. Pikërisht për këtë arsye kemi vendosur të nisim një proces bashkimi të atyre që mendojnë ndryshe”, u shpreh ai.

Analistët vlerësojnë se një bashkëpunim i tillë mund të kontribuojë në rritjen e pluralizmit politik brenda komunitetit serb. Sipas tyre, mbetet për t’u parë nëse kjo aleancë do të arrijë të paraqitet me një listë të përbashkët në rast se në Kosovë shpallen zgjedhje të reja parlamentare.

Burimi:  nga REL



Të ndryshme
Më shumë
18 vatra zjarri vetëm në territorin e Shkupit 6 August 2021
Filipçe: KSI po ndjek situatën në rajon, kufijtë mbesin të hapur 3 July 2020
Ankohen kompanitë shqiptare në Zvicër: Po ka punë, por nuk po ka punëtorë14 September 2021