Nga Vendi
17 March 2026
Përplasje brenda VLEN-it, emrat në qeveri nën hijen e Mickoskit

Tensionet brenda koalicionit VLEN po bëhen gjithnjë e më të dukshme, ndërsa çështja e funksionarëve në ekzekutiv po nxjerr në pah mungesën e koordinimit të brendshëm dhe ndikimin e kryeministrit në vendimmarrje.

Edhe pse në strukturat partiake kanë humbur peshë politike, Arben Fetai dhe Fatmir Limani vazhdojnë të mbajnë funksione në ekzekutiv, me mbështetjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, por pa një koordinim të qartë me VLEN-in.

Nga koalicioni theksojnë se aktualisht janë në proces të konsolidimit dhe transformimit në subjekt politik, duke shmangur diskutimet për rikonstruim qeveritar. Ata deklarojnë se çdo vendim i tillë do të merret në momentin e duhur dhe në bashkëpunim me partnerët, duke shtuar, “tash jemi në proces të krijimit të VLEN dhe nuk diskutohen tema në lidhje me rikonstruimin e qeverisë apo shkarkimeve, në momentin që hapet kjo temë do ta diskutojmë brenda VLEN dhe me partnerët qeveritar”.

Megjithatë, përplasjet e mëhershme tregojnë një realitet tjetër. Kryetari i Lëvizja BESA, Bilall Kasami, kishte kërkuar shkarkimin e Limanit, duke deklaruar, “çdo subjekt politik pjesë e koalicionit qeveritar bën propozime dhe sigurisht në konsultim me kryeministrin përcakton edhe emrat, në këtë rast unë konstatova që ministri në fjalë në shumë raste ka lënë shumë për të dëshiruar”.

Përgjigjja e Mickoskit ishte e drejtpërdrejtë, duke nënvizuar rolin e tij vendimtar në formimin e qeverisë, “unë jam mandatar i qeverisë dhe unë e formoj qeverinë, nëse dikush e ka harruar këtë, ja, ta kujtojmë”.

Ndërkohë, debatet u thelluan edhe pas një paraqitjeje publike të Limanit në Tiranë, ku mori pjesë në një iftar të organizuar nga Edi Rama, në të njëjtën kohë kur përfaqësuesit e VLEN-it ishin në një aktivitet me Mickoskin. Fotografitë e tij me Ali Ahmeti dhe Arben Taravari ngjallën reagime dhe kritika brenda koalicionit.

Kjo situatë po vë në pikëpyetje kapacitetin e VLEN-it për të kontrolluar përfaqësuesit e vet në qeveri dhe për të vepruar si një strukturë e unifikuar politike.

Burimi: Alsat M



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni, nga nëntori do të kërkohet doza e dytë për hyrje në kafene27 October 2021
Debati për vaksinën Astra Zeneca, ministri Vitia vaksinohet sot 8 July 2021
A do ta votojë Mexhiti kandidaturën e Bujar Osmanit për ministër?24 August 2020