Vendimi i fundit i sistemit gjyqësor lidhur me vulat e Aleancës për Shqiptarët ka nxitur reagimin e Ziadin Selës, i cili përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar procesin si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Sela thekson se vendimi vetëm sa konfirmon qëndrimet e mëhershme të subjektit që ai përfaqëson, duke deklaruar se, “vendimi i sistemit gjyqësor vetëm se konfirmoi atë që ne kemi thënë vazhdimisht, që Arben Taravari është shërbëtor i këtij sistemi të kapur që punon kundër shqiptarëve dhe kundër Aleancës për Shqiptarët”.
Ai ka ngritur pikëpyetje mbi zgjatjen e procesit për më shumë se dy vite dhe trajtimin e çështjes disa herë në Gjykatën Themelore në Tetovë, duke e cilësuar këtë si një precedent të paprecedentë. Sipas tij, vendimi aktual bie në kundërshtim me vendimet e mëparshme të së njëjtës gjykatë.
Në reagimin e tij, Sela ka përmendur edhe ndryshimin e gjykatësit në fazën përfundimtare të procesit, duke shtuar se, “të gjitha këto dëshmojnë se vendimi gjyqësor është politik, është atentat ndaj një partie politike shqiptare”.
Ai paralajmëroi se vendimi do të ankimohet në Gjykatën e Apelit dhe theksoi se subjekti nuk do të tërhiqet nga beteja politike dhe ligjore, duke shtuar se, “ne nuk dorëzohemi, Aleanca për Shqiptarët janë aktivistët dhe anëtarët që ruajnë idealin dhe misionin kombëtar”.