Tensionet mes deputetëve të shumicës dhe opozitës u përshkallëzuan sot në seancën e Kuvendit, ku diskutimet u shndërruan në ofendime dhe etiketime personale, duke zëvendësuar debatin e argumentuar. Blerim Bexheti dhe Saranda Imeri u përplasën ashpër, duke shkëmbyer fjalë si “Shko mbushi hundët pak se dozën se ke marrë. S’je vetvetja more pis more i degraduar more. Ju lutem ju lutem Saranda”, dhe “Dëgjo të lutem me krejt respektin të drejtohem të të ndihmoj. Ky do të ndihmojka, abe ec. Ajo le të këndoje pak natën, le të këndoje. Nervozën që e keni është e panevojshme. Çfarë nervoze be na gërdite kur të shohim në foltore, ec te shpia ajde”.
Përplasjet u zgjeruan edhe në çështje fetare, ku Adnan Azizi nga VLEN akuzoi opozitën duke thënë “Sa jeni të moralshëm, sa jeni të ndershëm, të njerëzishëm, fetar e kombëtar, jeni të demaskuar. Keni edhe përgjime, jeni të njohur në opinion, jeni të baltosur, jeni të nximë, jeni të përzimë dhe gjithë shqiptaria dhe gjithë besimtarët e dinë se lideri juaj ka sharrë dhe fenë edhe profetin dhe ju nuk vlerësoni nuk respektoni asnjë vlerë kombëtare as fetare jeni me improvizime”, ndërsa Dijana Toska shtoi “Ndërsa sa për Islam, atë e di popullata. Nuk mundeni në këtë foltore të përdorni ashtu terme se është turp për juve”.
Debati nisi pas reagimit të Frontit Evropian për shkak të ndryshimit të rendit të ditës, ku Rina Ajdari deklaroi “Çfarë keni planifikuar aty? Çfarë prapaskene po luhet? Do ti del koka edhe kësaj por megjithatë është e rëndësishme të themi hapur se kandidatin të cilin po pretendon kjo shumicë parlamentare ta kalojë, ka vendim për shkarkim nga Këshilli Gjyqësor. A për këtë nuk e vendosni në rend të ditës se nuk i keni numrat me badenter”. Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit, u shpreh se “Në asnjë moment kur reagohet në procedurale për tejkalimin e pikave të rendit të ditës, nuk është thyer rregullorja në asnjë moment. Këtë e bëjmë brenda rregullores dhe rregullave që ka funksionuar Kuvendi prej themelimit të saj dhe sidomos me rregulloren e re”.
Burimi: Alsat