Një vit pas tragjedisë në Koçan, procesi gjyqësor ndaj 35 personave dhe tre kompanive vijon të përballet me sfida serioze, duke ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin dhe drejtësinë e procedurave.
Drejtori ekzekutiv i Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Darko Avramovski, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, thekson se rasti është ndërtuar në mënyrë problematike që në fazat fillestare, duke krijuar pengesa për një proces të drejtë dhe funksional.
“Publiku pret shpejtësi, por ne presim drejtësi dhe thelbësim. Problemi është se sistemi aktualisht nuk po arrin të tregojë kapacitet për të dyja. Një rast kaq i madh do të përballet me zvarritje dhe vështirësi”, deklaroi ai.
Sipas Avramovskit, një nga problemet kryesore lidhet me faktin se të gjithë të akuzuarit po ndiqen për të njëjtën vepër, ndërsa një pjesë e tyre duhej të hetoheshin për korrupsion. Ai paralajmëron se ndryshimet në Kodin Penal mund të sjellin pasoja të drejtpërdrejta në epilogun e rastit.
“Ky është një rast tipik i dëmit kolateral nga ndryshimet në Kodin Penal, sepse ato u miratuan pa analiza të qarta për pasojat që mund të kenë në raste konkrete. Në këtë rast, një pjesë e të akuzuarve duhej të ndiqeshin për vepra që lidhen me korrupsionin, por për shkak të ndryshimeve ligjore ekziston rreziku që këto vepra të parashkruhen. Kjo jo vetëm që ndikon në rrjedhën e procesit, por edhe në mundësinë për të arritur drejtësi të plotë”, u shpreh ai.
Ekspertët vlerësojnë se përveç çështjeve ligjore, sistemi i drejtësisë përballet edhe me mungesë burimesh dhe besim të ulët publik, duke theksuar nevojën për reforma më të thella dhe zbatim efektiv të ligjeve.
Burimi, Radio Evropa e Lirë