Nga Rajoni
23 March 2026
Kurti takon ambasadorin zviceran, synohet thellimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, me të cilin ka diskutuar për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në mandatin e ri qeverisës.

Gjatë takimit, Kurti vlerësoi Zvicrën si një ndër partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi ndërtohet mbi vlera të përbashkëta si sundimi i ligjit dhe qeverisja demokratike. Ai shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme përmes KFOR dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

“Zvicra është një nga partnerët më të çmuar të Kosovës”, u shpreh Kurti, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes në zhvillimin institucional dhe ekonomik.

Në kuadër të programeve zhvillimore, Zvicra ka zotuar 86 milionë euro për Kosovën, ndërsa për periudhën 2026-2029 janë planifikuar edhe mbi 64 milionë euro shtesë.

Nga ana tjetër, ambasadori Sprecher uroi Kurtin për mandatin e ri dhe konfirmoi angazhimin e Zvicrës për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës. Në takim u diskutua edhe për rolin e mërgatës kosovare në Zvicër si urë lidhëse, si dhe për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA, e cila ende pret ratifikimin në Kuvend.

Zvicra mbetet ndër investitorët kryesorë në Kosovë dhe një nga burimet më të mëdha të remitencave.



Të ndryshme
Më shumë
Rama para Kurtit flet për Open Ballkanin: Është rruga e duhur27 September 2021
Tetovë-Gostivar, shkelen vendimet për izolim për shkak të koronavirusit17 August 2021
Antonela i shkon Mevlanit në spital: ‘Erdha për ty’26 August 2021